Sunday, November 24, 2024

(Konferenca) Gurishta: “Me Kastriotin ndeshje finale pasi na duhen patjetër tre pikët”

Lexo

Për kapitenin e kuqebluve, Erdenis Gurishta, përballja e së hënës me Kastriotin është një ndeshje tejet e rëndësishme. Madje, për rëndësinë që kanë tre pikët ai nuk nguron ta konsiderojë si një finale për Vllazninë. Opinionet e tij për pragndeshjen, Vllaznia-Kastrioti, Gurishta i dha në konferencën e shtypit ku ishte përkrah trajnerit Thomas Brdariç.

“Nuk ka ndeshje të lehta, Kastrioti është një ekip për t’u vlerësuar. Është një ekip agresiv, sidomos në fushën e vetë. Për ne nesër është një ndeshje finale. E konsiderojmë finale, sepse na duhet me doemos 3 pikët. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, sepse dhe Kastriotit i nevojiten pikë, por ne na nevojiten më shumë se ata. Një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht. Objektivi i Vllaznisë në këtë ndeshje do të jetë vetëm fitorja. Situata nuk është e komplikuar, është në dorën tonë. Kemi 2 ndeshje brenda një ndeshje jashtë. Po të bëjmë detyrat dhe të marrim pikët e duhura, çdo gjë do të jetë në rregull. Janë bërë shumë gabime rrugës, po të flas realitetin, kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë.”, tha Gurishta.

Në vijim, kapiteni kuqeblu shpreh një shqetësim në lidhje me aleancat e mundshme që kanë funksionuar në këtë kampionat, ndërkohë që për Vllazninë thotë se ka qenë e vetme. “Po ta shikojmë drejtë, ne kemi bërë luftë me të gjitha ekipet, ndërsa disa e kanë pasur autostradë. Ne nuk kemi pasur asnjë aleancë. Gjithsesi nuk është justifikim ky dhe nuk duhet të merremi me ekipet e tjera. Ne shikojmë punën tonë. Për deri sa matematika na mban në luftë për titullin, pse mos shpresojmë, por gjithsesi, objektivi jonë është që të jemi në 3 ekipet e para. Besoj që objektivi i Vllaznisë është drejt realizimit.”, u shpreh Gurishta. Duke vijuar të flasë për këtë temë, kapiteni i Vllaznisë shton: ”Shikohen qartë ndeshjet e Vllaznisë dhe të ekipeve të tjera. Ne të gjitha ndeshjet i kemi luftë, ndërsa ekipet e tjera shpeshherë nuk i bëjnë kështu. Po t’i shikosh ndeshjet e Vllaznisë, pothuajse çdo ndeshje është me 6-7 kartona, ndërsa ekipet e tjera nuk kanë asnjë karton, ka shumë “Fair-Play”. Kur luajnë kundër Vllaznisë luftojnë për jetë a vdekje, si të jetë ndeshja e fundit. Ashtu do të jetë edhe nesër.”

Duke folur konkretisht për Kastriotin, me të cilin do të ndeshen të hënën në “Loro Boriç”, Gurishta thotë se Kastrioti ndeshjen e fundit që ka zhvilluar në Shkodër, ka treguar që është një ekip jo “Fair-Play”. “Loja ka qenë me vonesa të shumta në të ndeshje. Gjithsesi ne ia kthyem reston në Kamzë. Ajo humbje iu djeg shumë, por nesër është një ndeshje tjetër dhe besoj do të marrim maksimumin”, përfundoi Gurishta.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img