Kosova ka reaguar në mënyrë të shkëlqyeshme pas humbjes së thellë nga Zvicra në Basel.
Të hënën mbrëma, në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri”, Dardanët arritën fitore madhështore 2:0 ndaj Suedisë, kombëtare e mbushur me yje të Premier Leagues, duke u rikthyer fuqishëm në garë për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Suedia vlerësohej favorite në këtë përballje, por futbollistët e përzgjedhur nga Franco Foda treguan karakter dhe zemër në fushën e lojës dhe me dy golat e pjesës së parë siguruan tri pikë të arta.
Mesfushori Elvis Rexhbeqaj shënoi në minutën e 26-të pas një kundërsulmi të shpejtë, ndërsa Vedat Muriqi vulosi fitoren në minutën e 42-të, pas asistimit të Albion Rrahmanit. Ky ishte goli i 32-të i Muriqit me fanellën e Kosovës, duke e forcuar pozitën e tij si golashënuesi më i mirë në histori të Dardanëve, derisa për Rexhbeqajn ishte goli i dytë me fanellën e Kombëtares.
Në pjesën e dytë Suedia kishte më shumë iniciativë, por mbrojtja e Kosovës u tregua e vëmendshme dhe në disa momente rrezikoi me kundërsulme. Florent Muslija pati mundësi të artë në minutën e 89-të, por gjuajtjen e tij e priti portieri, për të mbetur shifrat 2:0.
Kosova arriti këtë fitore pavarësisht mungesave të rëndësishme si Amir Rrahmani, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Florent Hadërgjonaj, derisa paraqitja e të gjithë lojtarëve ishte mbresëlënëse.
Atmosfera në “Fadil Vokrri” ishte elektrizuese, me tifozët që përkrahën pa u ndalur futbollistët në fushë dhe krijuan një mbrëmje madhështore.
Kosova ndeshjen e radhës e zhvillon më 10 tetor kundër Sllovenisë, po në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Aktualisht, Dardanët renditen në vendin e dytë në grup me 3 pikë, pas Zvicrës që ka 6 pikë dhe para Suedisë e Sllovenisë, që kanë nga një pikë. Vendi i parë në grup kualifikohet direkt në Botëror, derisa vendi i dytë shkon në “play-off”.



