Shkodra, qyteti i traditave të lashta kulturore e sportive, ka hapur sot një kapitull të ri në historinë e saj moderne: Maratonën e parë.
Në rrugët e mbushura me energji, frymë bashkimi dhe garë të shëndetshme, kjo ditë u shënua jo thjesht si një aktivitet sportiv, por si një festë e madhe qytetare.
Për herë të parë është zhvilluar “Maratona e Shkodrës”, që këtë vit përkon edhe me titullin “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit”, për të cilin flasin Albert Marashi – Klubi i Atletikës Vllaznia dhe Auron Miloti – Drejtor i Sportit, Bashkia Shkodër.
Ky aktivitet u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Bashkisë Shkodër, Klubit të Atletikës Vllaznia dhe Federatës Shqiptare të Atletikës. Pjesë e kësaj ngjarjeje, jo vetëm si të ftuar por edhe si simbol i suksesit të atletikës shqiptare, ishin kampionia Luiza Gega dhe sprinteri Franko Burraj, të cilët u ngjitën në podium duke vleërësuar aktivitetin.
Për fituesit e garës 10 km, ky ishte një moment i veçantë, një kombinim i kënaqësisë dhe krenarisë për arritjen e tyre.
E ndarë në tre kategori, nga më të vegjlit deri tek të rriturit, “Maratona e Shkodrës” mblodhi mbi 300 pjesëmarrës. Një shifër që pritet të rritet vit pas viti, duke e kthyer këtë iniciativë në një traditë të re për qytetin e Shkodrës.
(Video) Pamje nga zhvillimi i aktivitetit “Maratona e Shkodrës 2025”, dhe prononcimet e organizatorëve, Albert Marashi dhe Auron Miloti, si dhe të atletëve të njohur, Luiza Gega dhe Franko Burraj.