Pas rikonfimimit të trajnerit Eni Llazani, si dhe tyre basketbollistëve Shestani, Ashton Parker, Arnold që vazhdojnë bashkëpunimin me Vllazninë, Klajdi Kiri, shqiptaro-amerikani, me shtatlartësi 2 metër dhe 8 centimetër, ishte firma e parë që Vllaznia e basketit meshkuj zyrtarizoi në merkaton e prag sezonit 2025-2026.
Dhe menjëherë pas tij, erdhi edhe firma e radhës me një tjetër amerikan, Justin Thomas, një njohje e mirë e trajnerit Eni Llazani, pasi e ka pasur në ekip tre vite më herët kur drejtonte Kamza Basket.
Nga sa shikohet, kemi të bëjmë me një Vllazni të re, pasi drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia lanë të lirë një pjesë të mirë të basketbollistëve amerikanë, për të cilët, ndryshe nga pritshmëria ndaj tyre, përformanca që ato dhanë në fushën e lojës ishte larg kërkesave të stafit.
Në këtë mënyrë, Vllaznia e basketit për meshkuj po shkon drejt konsilidimit të përbërjes së saj, për të qënë gati në startin e sezonit të ri sportiv 2025-2026, ku beteja e parë do të jetë ajo e Superkupës së Shqipërisë duke u përballur me ekipin kampion, Besëlidhja.
Duke qëndruar tek blerjet e reja, stafi teknik duket i kënaqur me shqiptaro-amerikanin Klajdi Kiri, tek i cili kanë gjetur lojtarin e pozicionit qëndër, për të cilin Vllaznia ka vuajtur jo pak gjatë sezoneve të fundit.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, edhe vetë Klajdi Kiri, shfaqet i kënaqur që është bërë pjesë e Vllaznisë. Në prononcimin e parë mediatik që prej veshjes së tij kuqeblu, pasi shpreh mirënjohjen për mikpritjen e skuadës dhe trajnerëve, Kiri, thekson se ka ardhur për të fituar trofe në Shkodër, gjë të cilën ia përcjell edhe tifozëve duke i këkuar ta mbështesin skuadrën në ndeshjet që pritet të nisin së shpejti.
(Video) Prononcimin e plotë të basketbollistit shqiptaro-amerikan, Klajdi Kiri, si dhe pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë basket meshkuj, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar: Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU