Një lajm i trishtë vjen për komunitetin sportiv të Shkodrës dhe kryesisht për amatorët e sportit të Bilardos, sport, në të cilin Ardian Vorfa investoi shumë nga jeta e tij duke qënë prej disa vitesh ndër drejtuesit kryesorë të këtij spoti në Shkodër, por edhe në shkallë kombëtare.
Ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur Ardian Vorfa, drejtuesi kryesor i bilardos shkodrane. Kolegët e tij të bilardos në Shkodër, bëjnë të ditur për Veriu Sport, se si gjithmonë, edhe mbrëmjen e së mërkurës, Ardiani ishte i pranishëm në sallën e bilardos Vllaznia pranë stadiumit “Loro Boriçi”, por pak para se të mbyllej aktiviteti ditor, ai i kishte thënë miqve të tij se po shkon në shtëpi, ngaqë nuk po ndiehej mirë nga shëndeti. Ky ishte takimi i fundit me kolegët e tij të bilardos shkodrane, sepse gjatë orëve të mëngjesit të së enjtes, mësohet të ketë ndërruar jetë në banesën e tij.
Së bashku me kolegët e tij, Nail Alushi, Malo Ademi, Xhevat Sokoli, etj që ishin figurat kryesore të sportit të bilardos, Ardian Vorfa, ka meritën kryesore për formimin, ecurinë dhe arritjet e sportit të bilardos në Shkodër në vite.
Krahas detyrës si Kryetar i Shoqatës së Bilardos në Shkodër, Ardian Vorfa ishte për disa me radhë edhe në cilësinë e Zv.Presidentit të Federatës Shqiptare të Bilardos, ku së bashku me kreun e kësaj federate, Edmond Loku, organizoi aktivitete shumë të rëndësishme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Me hidhërim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta, në moshën 57 vjeç, të Ardian Vorfës – një prej themeluesve të Federatës Shqiptare të Bilardos dhe një figurë e rëndësishme për këtë sport në Shqipëri.
Ardiani dha një kontribut të çmuar për zhvillimin e bilardos, sidomos në Shkodër, duke nxitur të rinjtë dhe duke formuar talente që më pas përfaqësuan denjësisht qytetin dhe vendin tonë. Për disa vite ai mbajti postin e zëvendëspresidentit të Federatës Shqiptare të Bilardos, ndërsa njëkohësisht punoi me pasion si trajner i KS Vllaznia.
Puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten pjesë e historisë së bilardos shqiptare dhe do të kujtohen nga sportistët, kolegët dhe miqtë që e njohën nga afër.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat tona. -Edmond Loku, President i FSHBS.”. shkruan President ii FSHB, Edmond Loku, një nga bashkëpunëtorët dhe miqtë më të afërt të Ardianit, në sport dhe jetë e përditshme.
Veriu Sport, dhe unë personalisht si autor i shkrimit, duke pasur një bashkëpunim të hershëm me të ndjerin Ardian, në pasqyrimin e aktiviteteve të bilardos shkodrane në media, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta, familjes Vorfa, si dhe komunitetit të sportit të bilardos, për humbjen e parakohshme në Ardian Vorfës në moshën 57 vjeçare.
Pushofsh në Paqe, Ardian Vorfa! Do t’i mungosh shumë komunitetit të bilardos shkodrane, i përjetshëm qoftë kujtimi yt!
Gaspër MARKU