Tajo shënon në minutën e 93-të ndërsa Skënderbeu marshon i vetëm
Skënderbeu fitoi derbin e juglindjes ndaj Pogradecit në një sfidë të tensionuar, e cila u zgjidh vetëm në minutën e 93-të nga Abiodun Tajo. Ky gol jo vetëm që i dha tri pikët korçarëve,por konfirmoi skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka si pretendentin kryesor për titullin. Me një mbrojtje solide vetëm një gol i pësuar në katër ndeshje dhe një sulm që po fiton gjithnjë e më shumë harmoninë,Skënderbeu kryeson tabelën i pamposhtur.
Laçi ka armë dhe i përdor
Laçi i drejtuar nga trajneri Stefano Senigaljesi fiton në transfertë ndaj Korabit me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga Olsi Myrta dhe Henrik Nerguti,duke treguar se Laçi ka një arsenal të plotë ofensiv. Me vetëm një pikë më pak se Skënderbeu,kurbinasit mbeten rivalët më të afërt në garën për kreun. Java e ardhshme rezervon supersfidën Skënderbeu–Laçi,që pritet të jetë testi i parë i madh për të dyja skuadrat.
Antoni ndez Fierin
Apolonia ka gjetur liderin e vet në sulmuesin nigerian Antoni Umejego. Ai realizoi sërish në fitoren 2-0 kundër Kastriotit dhe u ngjit në krye të listës së golashënuesve me katër gola. Bashkë me Trifonin,ata përbëjnë një dyshe që po i jep jetë sulmit fierak. Triumfi ndaj krutanëve e ngjiti skuadrën në vendin e tretë,duke e bërë një konkurrent serioz për kreun.
Burreli spektakël dhe dramë në fund
Drama më e madhe e javës u luajt në Burrel,ku Besa e drejtuar nga Shpëtim Duro,ishte pran një barazimi të vlefshëm. Megjithatë në minutat e fundit pësuan dy gola dhe u mundën 2-1. Xhabrahimi shënoi nga penalltia,ndërsa Da Silva vulosi fitoren në sekondat e fundit. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për kavajasit,të cilët tashmë ndodhen në krizë,ndërsa Burreli qëndron mes skuadrave ndjekëse të kreut.
Lushnja dhe Luftëtari binjakët e barazimeve
Lushnja dhe Luftëtari vazhduan serinë e tyre të barazimeve,duke u ndarë 1-1 në një ndeshje me shumë luftë sportive. Verdhejeshilët kaluan në avantazh me Ribaudo,por një autogol i Ntepe i prishi festën. Të dyja skuadrat shfaqen të balancuara në lojë,por mungesa e fitores po kthehet në një sinjal alarmi. Si pasojë e rezultateve të dobëta,trajneri Erion Xhafa dha dorëheqjen nga drejtimi i Lushnjës.
Iliria gjen dritë në fundin e tabelës
Skuadra nga Fushë-Kruja regjistroi fitoren e parë sezonale,duke mposhtur Kukësin 1-0 me golin e Kithambo. Ky sukses shërben si frymëmarrje për Ilirinë,që largohet nga fundi i renditjes. Në anën tjetër, Kukësi vazhdon të shfaqet i paqëndrueshëm,me vetëm një fitore dhe dy humbje pas katër javësh kampionat.
Fatos LAMAJ



