Kjo fundjavë afron një program të ngjedhur me aktivitete sportive të karakterit kombëtar. Krahas Kampionatit të Futbollit Superiore, ku Vllaznia pret të dielën Voren në stadiumin “Loro Boriçi” në kuadër të javës së pestë, ndeshje e cila nis në orën 19:00, të shtunën nisin udhën e tyre edhe Kampionatet Kombëtare të futbollit të vajzave si dhe Kategoria e Dytë.
Lushnja – Teuta dhe Egnatia – Apolonia, janë dy ndeshjet e para të futbollit vajza që luhen mesditën e së shtunës, ndërkohë që Vllaznia kampione që është në pritje të udhëtimit për në Milano për Turin e Dytë “Europa Cup”, luan pasditën e së dielës derbin e javës së parë të kampionatit përballë Atletik Klub Shkodra.
Ndërkohë, me shumë emocione pritet starti i Kampionatit Kombëtar të futbollit për Kategorinë e Dytë, ku e veçanta e këtij kampionati është Klubi i Futbollit Shiroka, i cili falë tërheqjes së skuadre të kategorisë së dytë, si nënkampione e sezonit të kaluar futbollistike, ka fituar të drejtën nga Federata Shqiptare e Futbollit për të qënë konkuruese në kategorinë e dytë.
Dhe, kalendari i javës së parë, e ka vënë Shirokën përballë ekipit të Luzit, ndeshje e cila është programuar të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Reshit Rusi” duke filluar nga ora 14:00. Ndërkohë, një tjetër ndeshje interesante e javës së parë të Kategorisë së Dytë, është edhe ajo që do të luhet në fushën sportive të Bushatit në mes Basanias vendase dhe Besëlidhjes mysafire, takim që luhet edhe ky në orën 14:00 të kësaj të shtune.
Emocionet sportive të fundjavës vijojnë me Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës Artistike, aktivitet ky që organizohet nga Federata Shqiptare e Gjimnastikes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” mbrëmjen e së premtes dhe paraditën e së shtunës.
Ndërkohë, Kampionati Kombëtar i volejbollit për femra dhe meshkuj, luan ndeshjet e javës së tretë, ku dy ekipet e Vllaznisë do të përballen në shtëpi duke pritur të dielën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, dy ndeshje shumë të forta: Vllaznia-Dinamo për femra dhe Vllaznia-Studenti për meshkuj.



