Dinamo rikthehet tek fitorja pas tre javësh mungesë. E për më tepër një trepikësh në derbi për të besuarit e Ilir Dajës, teksa fundosin Tiranën në fundin e renditjes me vetëm dy pikë në pesë javë. Të dyja skuadrat kanë zbritur në “Selman Stërmasi”, në atë sfidë që ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, me objektivin e vetëm fitoren. Provon Tirana që në të 4’ me Fernandez, gjuajtja e të cilit pritet nga Teqja.
Kundërpërgjigjet Dinamo me Lorenc Vilën pas dy minutash, mesfushori blu është i pafat, teksa topi është ndalur aty ku takohet trau i portës me shtyllën e majtë pingule të portës bardheblu. Dinamon vazhdon ta mbajë në lojë Teqja, i cili në të 15’ ka pritur gjuajtjen e Patsatsia pas pasimit të Haxhiut. Dhe Dinamo me shumë qetësi gjen golin e avantazhit, që ka për autor Gudjabin, kjo në të 24’. Tirana ka pretenduar me penallti në përplasjen e Mensah me Teqen, por gjyqtari Xhaja jep faull në sulm.
Pjesa e dytë nis me sulmin e Tiranës, teksa në të 49’, Tabeku është frenuar nga Teqja. Dinamo gjen dhe golin e dytë, këtë herë me Lorenco Vilën, i cili ka shfrytëzuar maksimalisht harkimin e Nanit. Tirana i hap shansin vetes për të menduar dhe barazimin, ndërsa Patsatsia shndërron në gol penalltinë, që ka ardhur nga prekja me dorë e Ditës.
Teqja krehet në fortesë për Dinamon, teksa ka pritur me radhë gjuajtjet e Falaje në të 63’, Haxhiut në të 66’, Tares në të 77’ apo dhe Soler. Përtej terrenit të rënduar nga reshjet e dendura të shiut, Tirana ka provuar deri në fund, por duket sikur nuk ka patur fatin me vete. E në përfundiim 2-1 për Dinamon dhe 7 pikë për blutë e Ilir Dajës në pesë javë, që tanimë i afrohen kreut.



