Një lajm i trishtë për komunitetin e sportit shkodran vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare, ish drejtuesi i Klubit Sportiv Vllaznia, Bahri Asllanaj.
Ka qënë vetë bashkëshortja e tij, Marije Pali-Asllanaj, e cila ka njoftuar komunitetin shqiptar të Michiganit, aty ku familja Asllanaj jetuar prej rreth 30 vitesh duke bërë të ditur se ndarja nga jeta e bashkëshortit të saj ka ardhur mbas një semundje të rëndë dhe të pashërueshme.
Për komunitetin e sportit shkodran, sidomos të brezit të para viteve 90-të, emri i Bahri Asllanit është mjaft i njohur. Krahas aktivizimit me sport, ai pati një kontribut të çmuar si mësues i edukimit fizik në disa shkolla të qytetit të Shkodër duke arritur rezultate të larta.
Por, më së shumtmi, kontributin më të madh në fushën e sportit, Bahri Asllanaj, e ka dhënë si drejtues i sektorit të sportit. Periudha që ai ka drejtuar Klubin Sportiv Vllaznia dhe Komitetin e Fizkulturës së Shkodrës është padyshim ndër më të suksesshmet që ka pasur sporti shkodran.
Ndër to, mund të veçohen fitimet e shumë titujve kampion nga ekipet e Vllaznisë dhe sidomos fitimet e Spartakiadave Kombëtare, ku Bahria si drejtues kishte ndikimin e vet si motivimin dhe mbështetjen që ai i jepte trajnerëve dhe sportistëve konkurues.
Shumë komunikues dhe bashkëpunues ka qënë Bahri Asllanaj, edhe me komunitetin e gazetarëve sportive, ku unë vetë personalisht si autor i shkrimit, mund të them se sa kam pasur nevojë për informacione apo edhe bashkëpunime më të afërta me Klubin Vllaznia dhe ekipet sportive, kam gjetur ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të drejtuesit Asllanaj.
Portali Veriu Sport, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Asllanaj për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit për humbjen e një drejtuesi shumë të aftë të sportit shkodran.
Pushofsh në paqe Bahri Asllanaj, kujtimi dhe kontributet tuaja për sportin shkodran, mbeten të paharruara.
Gaspër MARKU



