Erzeni – KF Shiroka 0-1(Shënues: Erion Vucaj 50’)
Formacioni i KF Shiroka: Endri Lujkaj, Rinor Peku, Oltion Drabeja, Flori Leka, Klevis Bebeziqi, Gabriel Olamide, Erion Vucaj, Kunavdo Keneeth, Elidon Dulaj, Samet Ruçi, Klejdi Dibra(U aktivizuan: Brilant Hasaj, Rigers Xhahysa, Rigers Musaraj, Anderson Filipi). Trajner: Matias Tatangelo
Gjyqtar: D. Doci
Ka pasur disa momente historike për KF Shirokën gjatë dy viteve të ekzistences së saj. Fillimisht, historike ishte lajmi i formimit të këtij klubi nga ish futbollisti shkodran Ergi Axhani.
Historike, ishte ndeshja e parë zyrtare në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë
KF Shiroka.
Historike ishte lajmi i konkurimit në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë për sezonin futbollistik 2025-2026.
Historike është edhe lajmi i sotëm, që KF Shiroka regjistron fitoren e gjashtë radhazi në Kampionatin e së Dytës, ku duke mundur Erzenin e Shijakut në transfertë 0-1, e shikon veten në krye të tabelës së klasifikimit.
Tre pikëshi i fundit u arrit përmes golit mjeshtror të shënuar nga kapiteni Erion Vucaj në minutën e 50-të duke e çuar skuadrën e tij në kuotën e 18-të pikëve ndaj 16-të të Besëlidhjes që ka një ndeshje më pak.
Të gjitha këto nuk janë rastësi, por rezultat i punës shumë serioze, sistematike dhe profesionale që nis nga kupola presidenciale me në krye Ergi Axhanin, i cili ka në krah edhe një menaxher tashmë me përvojë në futbollin shqiptar e më gjërë, Ervis Domnori, përfshirë edhe konsulentin Fatmir Axhani, dhe padyshim edhe stafin teknik, me në krye dyshen Matias Tatangelo-Ardit Mani, trajnerin e portjerëve Bujar Celufaj si dhe përgatitësin atletik, Ervin Buca.
Ndonëse për opinionin sportiv, deklarimi i objektivit të KF Shirokës për kualifikimi në Kategorinë e Parë është paksa euforik duke pasur parasysh se ekipi që vjen si debutues nga Kategoria e Tretë, në klubin shirokas mendojnë ndryshe.
Gjithësesi, mbetet për t’u parë, sepse tashmë lufta për ngjitjen direkte një kategori më lart si fitues i grupit është përqëndruar mes dy ekipeve, KF Shiroka dhe KF Besëlidhja, skuadër e cila duhet thënë, se jo vetëm falë traditës, por edhe investimit madhor të këtij sezoni nga Bashkia Lezhë dhe presidenca Fushaj ka të njëjtin objektiv.
Ndaj, për të gjitha këto, vemendja e të gjithëve është përqëndruar në përballjen e afërme direkte mes këtyre dy skuadrave, që do të fiksojë kryesuesin e pjesës së parë të kampionatit.
Gaspër MARKU



