Pas kualifikimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë ndaj Vorës, trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, u shpreh i kënaqur me rezultatin, por njëkohësisht kërkoi më shumë saktësi nga skuadra në fazën sulmuese.
“Viti mirë nisi, por duhet të niste më mirë, duhet të finalizojmë. Ashtu siç kemi thënë gjithmonë, rastet i krijuam. Por rëndësia e këtyre ndeshjeve të Kupës është të kalosh e të ecësh në vazhdim. Jemi në çerekfinale dhe duhet të gëzohemi.
Mënyra si interpretuan lojtarët, jemi të kënaqur, por përsëri jemi të pakënaqur për përfundimin te finalizimi, jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë akoma më shumë që këto finalizime të jenë sa më të suksesshme për ne, që ndeshjen të mos e luajmë gjithë kohës në tension dhe presion.
Bravo për çunat se me vërtetë jo vetëm treguan seriozitet, por treguan edhe cilësi e kualitet dhe gjithë atë punë që kemi bërë këto 7-8 ditë, që ka qenë si minifazë, sot morëm frytet dhe pamë punën që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Ekipi ka fituar automatizmat dhe gjithashtu ekuilibri sot ishte në nivelin e duhur, se ndeshjet e Kupës janë shumë delikate dhe duhet të jesh jashtëzakonisht i përqendruar që te dalim me sukses. Janë një ndeshje teke dhe nuk i dihet ndonjëherë”, tha Dobi për RTSH pas duelit.



