Turneu “Futsal Junior” për grupmoshën U-13, i organizuar nga Federata e Futbollit, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë dhe Agjencia e Parqeve Rekreative, u mbyll me sukses pasditen e së dielës. Parku Olimpik “Feti Borova”, u kthye këtë fundjavë në një arenë të vërtetë emocionesh dhe gare.

Në këtë aktivitet morën pjesë 16 skuadra, të ndara në katër grupe, duke dhuruar ndeshje mjaft të bukura, shumë të luftuara dhe tejet argëtuese për fëmijët pjesëmarrës. Në fund të turneut, Dinamo City u shpall fituese e këtij turneu, pasi mposhti 3-0 Partizanin A, duke merituar plotësisht trofeun. Ndeshjet gjysmëfinale u luajtën mes Dinamo City-t A dhe B, East Park dhe Partizanit A dhe përfunduan si më poshtë:
Dinamo City A 3–2 BS East Park
Dinamo City B 2–5 Partizani A
Ndeshja finale
Partizani A 0-3 Dinamo City A
Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në praninë e Drejtorit Teknik të FSHF-së, Fulvio Pea, si dhe drejtuesve të tjerë të SHRFT, të cilët përgëzuan fëmijët dhe trajnerët për nivelin e treguar dhe rëndësinë e këtyre aktiviteteve në formimin e brezit të ri të futbollistëve.
Turneu “Futsal Junior” nuk ndalet këtu pasi këtë fundjavë, radha i vjen ekipeve të grupmoshës U-11, ndërsa fundjavën e ardhshme do të zbresin në fushë edhe më të vegjlit e grupmoshës U-9, duke vijuar misionin për të nxitur pjesëmarrjen masive dhe dashurinë për futbollin që në moshë të vogël.



