Monday, January 26, 2026

(Video) FSHF-Presidenti Armand Duka, prezanon strategjinë “Vision to Victory 2026-2030”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Federata e Futbollit organizoi këtë të hënë eventin e rëndësishëm të prezantimit të strategjisë “Vision to Victory 2026-2030”. Një strategji me projekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin shqiptar në 4 vitet e ardhshme e që është bërë ë bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë.

Të pranishëm në këtë event madhor dhe shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e futbollit shqiptar ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Presidentë dhe përfaqësues të klubeve shqiptare, drejtues të Shoqatave Rajonale të Futbollitt, anëtarë të komunitetit të futbollit, ish-futbollistë të njohur, sponsorë, organizata partnere, media, etj.

Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar bëri një bilanc të strategjisë së kaluar “Futbolli për Kombin”, ku nënvizoi se 95% e objektivave janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi.

Më tej, Presidenti Duka shpalosi për të pranishmit dhe opinionin publik strategjinë për katër vitet e ardhshme, “Vision to Victory 2026-2030”, duke theksuar se ajo përfaqëson një vizion të qartë për zhvillimin e futbollit shqiptar në të gjitha nivelet. Strategjia synon rritjen e pjesëmarrjes dhe cilësisë së futbollit, forcimin e strukturave organizative dhe investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe formimin e talenteve të rinj.

“Kjo strategji është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar.

Deri në vitin 2030, synojmë që të arrijmë një numër futbollistësh djem të regjistruar 26 mijë nga 24,078 që janë sot, pavarësisht sfidave demografike me të cilat përballet vendi. Kjo rritje do të vijë përmes zgjerimit të programeve në shkolla dhe komunitete, forcimit e rolit të shoqatave rajonale, mbështetjes së drejtpërdrejtë të klubeve për moshat e vogla, krijimit të më shumë aktiviteteve të organizuara për fëmijët dhe të rinjtë, përmirësimit të infrastrukturës, vazhdimit te projekteve “Uniforma Ime” dhe “Topi YT”.

Në aspektin e infrastrukturës, deri në vitin 2030 synojmë të shtojmë 30 deri në 40 fusha të reja futbolli, nga projektet e Federatës, kryesisht në rajonin e Tiranës, ku edhe dendësia e popullsisë është edhe më e madhe, që mund të ndikojë në përmirësimin e raportit popullsi–fusha, e cila fatkeqësisht sot është në nivele të pakënaqshme me 1 fushë futbolli për 18,981 banorë në një kohë që në vendet më të zhvilluara europiane kanë një raport: 1 fushë futbolli për 3800 banorë.

Por objektivi real dhe nevoja e domosdoshme në rang kombëtar duhet të jetë ndërtimi i 200 fushave të reja futbolli, i cili nuk mund të arrihet nga Federata, por kërkon mbështetjen nga buxhetet e shtetit, – tha Presidentin Duka, i cili u ndal edhe te rëndësia e bashkëpunimit me klubet, institucionet dhe partnerët strategjikë, duke e cilësuar këtë proces si themelin për arritjen e objektivave afatgjata.

“Objektiv strategjik shumë i rëndësishëm mbetet rritja e numrit të spektatorëve në shkallët e stadiumeve në kampionatet kombëtare të të gjitha niveleve. Kjo do të arrihet në bashkëpunim me klubet profesioniste dhe akademitë, duke i asistuar ato me projekte konkrete dhe duke synuar të njëjtën qasje si në ekipin kombëtar A.

Forcimi financiar i klubeve dhe akademive të futbollit. Ato sot vuajnë financiarisht dhe zhvillimi do të jetë shumë i ngadaltë pa mbështetje e incentiva financiare qoftë dhe i përkohshëm. Do të vazhdojmë mbështetjen financiare direkte nga buxhetet e federatës, siç kemi bërë këtë për vitin 2026 me 3 milion euro, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë për finalizimin e ligjit të Sponsorizimeve në Sport. Progresi i futbollit dhe e të gjithë sportit shqiptar do të jetë shumë i ngadaltë pa një ligj të tillë”,  – shtoi më tej kreu i FSHF-së.

Po ashtu, Presidenti i FSHF-së nënvizoi edhe objektivat për ekipet kombëtare djem e vajza si dhe objektivat për ekipin kombëtar U-21.

“Objektivat për ekipet kombëtare mbeten:

  • Pjesëmarrja e ekipit A të djemve në turnetë final Europian dhe Botëror dhe renditja në vendin e 50-të të FIFA-s.
  • Ekipi U-21 kalimi i fazës së grupeve në Euro 2027, i cili do të zhvillohet në vendin tonë dhe kualifikimi në fazën finale të Euro 2029.
  • Qëndrimi në Ligën B i ekipit kombëtar të vajzave dhe synimi për t’u kualifikuar në kampionatin Europian 2029 në Gjermani” – tha ndër të tjera Presidenti Duka.

Në përfundim, kreu i futbollit shqiptar theksoi se kjo strategji nuk është vetëm një dokument vizioni, por një plan konkret veprimi, që synon ta çojë futbollin shqiptar në një nivel më konkurrues në arenën ndërkombëtare. ““Vision to Victory” është një ftesë e hapur për të gjithë ju. Një ftesë për unitet, për ambicie dhe për besim. Vetëm së bashku mund ta kthejmë vizionin në fitore – jo vetëm në rezultate sportive, por në një futboll që zhvillon njerëzit, komunitetet dhe vendin tonë.

Katër vitet që vijnë do të jenë vendimtare. Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim, jam i bindur se do ta çojmë futbollin shqiptar në një nivel të ri” – përfundoi fjalën e tij Presidenti Armand Duka.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në eventin e lançimit të strategjisë së FSHF 2026-2030 “Vision to Victory” theksoi rëndësinë e partneritetit me Federatën dhe angazhimin e ministrisë për të çliruar potencialet e sportit dhe futbollit në vend. Ai nënvizoi rolin e sportit si gjenerator ekonomik dhe turistik, si dhe mbështetjen për ligjin e sponsorizimit, duke e konsideruar një hap kyç për zhvillimin e sportit në Shqipëri.

“Kur kemi një partneritet dhe një aktor kaq të rëndësishëm dhe kaq të strukturuar siç është Federata Shqiptare e Futbollit, çfarë do të duhet të bënte më shumë Ministria që drejtoj sesa në radhë të parë të sinkronizohej në strategji, në plan veprimi, në mendim, në gjithçka me FSHF, që është një organizatë, një entitet, një realitet që besoj që është shumë herë më tepër në funksion të interesit publik sesa të çdo lloj interesi tjetër.

Duke hyrë më poshtë në detyrën e përshkruar për mua, është që duhet të punoj që të çliroj çdo mundësi dhe çdo oportunitet që lidhet me potenciale dhe energji të cilat deri sot janë të paçliruara, të penguara, të bllokuara dhe janë të mohuara në rastin tonë sporti dhe futbolli. Do t’i bashkëlidhja sportit natyrisht artin, kulturën, të cilat bashkë me sportin ju e dini se sa shumë turizëm janë dhe prandaj ministria vjen Turizëm, Kulturë dhe Sport sepse nga pikëpamja ekonomike, nga pikëpamja e punësimit, zhvillimit, ndërkombëtarizimit, e imazhit të vendit, të gjitha këto janë një fitim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, ku sporti natyrisht është një nga gjeneratorët më të jashtëzakonshëm

Ligji i sponsorizimit, ky nuk është më zotim, është gati në masat e një betimi i imi dhe i Presidentit të Federatës sepse do të vijë edhe për artin, sportin, rininë. Natyrisht art, kulturë, sport, çfarë tjetër më shumë se këto kanë rini brenda. Këto do të vijnë të gjitha së bashku. Ne do të lobojmë fuqishëm edhe në procesin që jemi të konsultimit publik, ku natyrisht mund të ketë përmirësime në të mirë të këtij ligji. Një kampionat, një skuadër e suksesshme, një sport i zhvilluar janë automatikisht gjeneratorë ekonomikë të jashtëzakonshëm”, – tha Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img