Elton Fikaj largohet nga Panathinaikosi në Greqi dhe transferohet në Poloni. Klubi grek ka njoftuar zyrtarisht se Fikaj do të kalojë te Piast Gliwice, ndërsa Panathinaikosi ka mbajtur një përqindje të kartonit të lojtarit shqiptar.
Futbollisti me origjinë nga Shkodra, Elton Fikaj luan në pozicionin e mbrojtësit të majtë dhe është 20 vjeç. Ai ka lindur në Greqi, por ka veshur fanellën kuqezi, duke kaluar të gjitha kombëtaret e moshave dhe së fundi është pjesë e Shqipërisë U-21, ku numëron 13 ndeshje.
Mbrojtësi fillimisht ishte pjesë e akademisë së Panathinaikosit dhe më pas, në vitin 2023, firmosi kontratën e parë në futbollin profesionist. Aktualisht, vlera e kartonit të lojtarit shqiptar është 300 mijë euro.
Piast Gliëice merr pjesë në elitën e futbollit polak dhe aktualisht mban vendin e 14-të me 20 pikë. Klubi ka si objektiv mbijetesën në nivelin më të mirë të futbollit polak, kurse Fikaj synon që të luajë rregullisht për të pasur më pas një transferim më të mirë në karrierë. Në Poloni luan edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Julian Shehu.



