Viti 2026 ka nisur me një atmosferë shumë pozitive për Federatën Shqiptare të Gjimnastikës. Falë një presidenti me vizion si ish gjimnasti kampion me Vllazninë, shkodrani Leonard Lulaj, kjo federatë në harkun kohor të pak ditëve ka realizuar dy bashkëpunime shumë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Falë njohjeve personale të vetë presidentit të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj, me ftesë të tij, kanë mbërritur në Shqipëri dy figura shumë të rëndësishme të gjimnastikës europiane, të cilët krahas takimeve me autoritet drejtuese të sportit në kryeqytet, kanë preferuar që vizitat e para t’i bëjnë në Shkodër, qytetin ku është formuar si gjimnast presidenti Lulaj.
Fillimisht, ishte Presidenti i Federates Turke te Gjimnastikes, njëherësh ZV. President i Federates Nderkombetare te Gjimnastikes dhe President i Federates Ballkanike te Gjimnastikes, Suat Çelen që vizitoi Shkodrën duke ndjekur nga afër proçesin stërvitor të ekipit Vllaznia, ndërkohë që premtoi dhe bëri realitet sjelljen në kohë rekord të bazës materiale stërvitore.
Nuk vonoi dhe vetëm pak ditë më pas, në palestrën e gjimnastikës Vllaznia mbërriti Presidenti i Federatës Italiane të Gjimanstikës, Andrea Faccio.
Teksa ndoqi nga afër performancën e vajzave të Vllaznisë të drejtuara nga trajneri Izmir Kashi dhe kolegët e tij, Shpresa Salja, Mustaf Rama dhe Latif Kashi, njëshi i Federatës Italiane të Gjimanstikës, Andrea Facci, vlerësoi punën e bërë, si dhe uroi sportiset për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë prononcimit të dhënë për Veriu Sport, presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj, u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me drejtuesit e dy prej federatave më të njohura në arenën ndërkombëtare, Turqisë dhe Italisë, Suat Çelen dhe Andrea Facci, ndërkohë që mbajnë edhe poste të larta në shkallë Ballkanike dhe Europiane.
Në këtë mes, patjetër që më e fituara duket se është gjimnastika shkodrane, ku krahas bazës material moderne që ka mbërritur në Shkodër, sportistet dhe trajnerët e Vllaznisë, kampionë kombëtar në Shqipëri, do të kenë mundësinë të trajnohen dhe të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me ekipet turke dhe ato italiane.
(Video) Prononcimin e dy presidentët të Federatave të Gjimnastikës, Shqipëri-Itali, Leonard Lulaj dhe Andrea Facci, si dhe pamje nga ndjekja e seancës stërvitore në palestrën e gjimnastikës Vllaznia, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



