I ndodhur në Shkodër si shkak i 107 vjetorit të themelimit të klubit kuqeblu, trajneri i fundit kampion me shkodranët, Dervish Haxhiosmanoviç ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Malazezi ka analizuar pikërisht fitoren e fundit të Vllaznisë ndaj Elbasanit, duke theksuar se ishte e merituar. Pavarësisht se erdhi vetëm në “frymën e fundit” të ndeshjes, ju tekniku thekson se skuadra duhet t’i mbyllë ndeshjet më shpejt. “Deda” siç njihet në qytetin verior ndalet edhe tek disa elementë të veçantë në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit, e po ashtu dy ish-lojtarët e tij, Edi Martini e Vioresin Sinani. Teksa shpreson që ky të jetë viti i duhur për të kthyer titullin në Shkodër, e në maj të ketë një festë më të madhe se ajo për këtë përvjetor të klubit.
Profesor, si gjithmonë emocione kur kthehesh në Shkodër, sidomos kur festohet themelimi i klubit apo jo?
Unë nuk jam thjesht ish-trajner i Vllaznisë, por edhe një tifoz i këtij ekipi. Po ashtu e dua këtë qytet e këta njerëz e tifozë të mrekullueshëm. Kam përjetuar ndoshta vitet më të bukura të karrierës sime si trajner në Shkodër e në stadiumin “Loro Boriçi”. Falenderoj edhe drejtuesit e klubit për ftesën dhe respektin ndaj meje. Kjo do thotë që kam bërë diçka pozitive në historinë e madhe dhe të jashtëzakonshme të këtij klubi të veçantë në gjithë Shqipërinë. Ku unë i uroj edhe mijëra vite të tjera festime e ditëlindje.
Si e shikove ndeshjen e fundit të Vllaznisë kundër Elbasanit?
Në opinionin tim ishte një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar, them se me një mot me të favorshëm dhe fushën në gjendje më optimale, do kishim një duel më të bukur për t’u shijuar. Megjithatë them se në kompleksitetin e ndeshjes, Vllaznia e meritoi fitoren në fund. Krijoi më shumë raste, mbajti më shumë topin dhe dukej se ishte më e qartë në veprimet e saj. Pavarësisht se suksesi erdhi vetëm në sekondat e fundit, ishte totalisht i merituar. Duke treguar edhe njëherë këtë sezon se Vllaznia qëndron mbi çdo rival në Superiore dhe se është në rrugën e duhur për objektivat që ka vendosur.
Mund të bënin diçka ndryshe kuqeblutë?
Ndoshta vetëm t’i “mbyllë” llogaritë e ndeshjeve më shpejt. Të mos u japë “shpresa” kundërshtarëve, të cilët i dominon në pjesën më të madhe të ndeshjes. Pasi besoj se për Vllazninë do ishte si një “humbje” në rast se ndeshja do përfundonte në barazim, pasi Elbasani në rastin e vetëm të krijuar arriti të shënonte. Prandaj, vetëm ky mund të jetë “defekti” momental i Vllaznisë, që të arrijë të mbyllë ndeshjet më shpejt. E them këtë sepse ky ekip krijon shumë, ka ritëm dhe di të luajë futboll, e me cilësi të tilla duhet të zgjidhë situatat më shpejt.
Kush janë ata futbollistë që kanë bërë diferencën nga të tjerët?
Do thoja i gjithë grupi, nuk ka individë në një skuadër që do të shkojë drejt titullit. Pasi shoh që edhe futbollistët që vijnë nga stoli paraqesin një nivel shumë të mirë, duke mos pasur aspak diferenca me titullarët. Pra, kjo tregon se ekipi është shumë i përgatitur dhe gjithë futbollistët e gatshëm për të dhënë gjithçka. Por, patjetër nëse duhej të veçoja do thoja Bekim Balaj, të cilin e njoh që kur ishte “fëmijë” e vinte tek ekipi i parë. E gjithashtu edhe Kastrati, Kallaku, Krymi, Gurishta e të tjerë. Për mua Vllaznia ka ekipin me futbollistët më cilësorë në gjithë kampionatin shqiptar këtë edicion.
Rivali më i fortë i shkodranëve…
Vllaznia është rivali i vetëm i Vllaznisë, kaq do them. Pasi skuadra i ka dominuar rivalët, në lojë dhe rezultat, tashmë ajo punë e mirë dhe fitoret me meritë nuk duhen çuar dëm në asnjë lloj mënyre. Skuadra ka treguar futboll, ka treguar mentalitet në momentet e vështira e këto janë gjëra që të forcojnë karakterin e të shtyjnë të shkosh përpara. Pra, Vllaznia duhet të shikojë vetëm veten dhe asnjë kundërshtar tjetër sepse përndryshe do gabojë.
Një këshillë ndoshta nga njeriu që shpalli për herë të fundit kampion Vllazninë?
Qetësi dhe menaxhim, asgjë tjetër. Skuadra në aspektin sportiv po ecën shkëlqyeshëm, fiton edhe kur ndoshta nuk mahnit me lojë. Kjo është diçka për t’u vlerësuar në maksimum. Tani hynë në punë “nervat” sepse ekipi do ketë “presion” nga kundërshtarët, nga media dhe gjithë ambienti i futbollit. Që do ketë “sytë” i gjithi tek Vllaznia dhe në mos ata gabojnë, e gabime do ketë, por skuadra thjesht duhet të dijë të ruajë qetësinë e dalë nga momentet “jo”, ashtu siç ka bërë edhe më parë. Kjo do ishte këshilla ime e vetme për futbollistët, stafin apo edhe drejtuesit e klubit.
Cila është arma “plus” e ekipi në garën për titull?
Vllaznia ka dy sulmues që nuk i ka askush në Superiore. (qesh). Do thoni ju cilët janë ata e po iu them dy emra, Edi Martini dhe Vioresin Sinani. Ata dy janë arma shtesë e Vllaznisë në garën për titullin kampion. Dy talente të futbollit shkodran, që kam pasur fatin ti stërvis, dy djemë që e dinë çdo thotë Vllaznia dhe të dalësh kampion me këtë ekip. Them se si shkodranë që janë e po ashtu me eksperiencën e tyre janë një plus i madh për skuadrën. Por, nuk do harroj as tifozët e ekipit, që janë më të veçantët në Shqipëri e me ta kuqeblutë janë shumë më të fortë, si në ndeshjet brenda e po ashtu jashtë fushe.
Do rikthehet “Deda” në Shkodër për një festë më të madhe ndoshta në muajin maj?
Kam besimin e plotë që Vllaznia do jetë kampione në maj dhe festa do jetë në mbarë qytetin. Ka ardhur momenti i duhur, ky është viti ku kuqeblutë duhet të rikthejnë titullin pas 25 vitesh. Që janë shumë për një ekip dhe qytet të tillë që jeton me sportin e veçanti futbollin. Sigurisht unë do jem sërish këtu e me shpresën që herën tjetër në festë të jetë edhe trofeu i kampionatit i fituar nga Vllaznia.
Endri ÇINARI



