Kuqeblutë e Vllaznisë kanë lënë pas entuzismin e fitores shumë të rëndëisshme me Elbasanin që i siguroi shkëputjen nga rivalët në krye të tabelës së klasifikimit dhe tashmë janë të përqëndruar për ndeshjen e radhës që do të luhet këtë fundjavë në transfertë me Bylisin.
Në fakt, Vllaznia ishte më herët përsëri mysafire në Ballsh, duke u kthyer me fitoren e ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 0-1, ndërkohë që tashmë ballafaqimi do të jetë për javën e 25-të të kampionatit Abissnet Superiore.
Për teknikun Martini, sfida që do të luhet në stadiumin “Adush Muçaj” këtë të shtunë prej orës 13:30 do të jetë krejt ndryshe nga ajo e Kupës së Shqipërisë, edhe për faktin se ballshiotët do të luftojnë fort për të siguruar pikët e mbijeteses në Superiore.
E vështirë për teknikun Martini konsiderohet kjo ndeshje edhe nga mungesa e titullarëve që do të ketë në këtë ndeshje, duke nisur nga kapiteni Bekim Balaj, Erdenis Gurishta dhe Lirim Kastrati.
Megjithatë, fakti që në dispozicion ka lojtarë cilësor të stolit, që sa herë janë aktivizuar kanë bërë diferencen, është një armë plus për skuadrën, e cila kërkon të vijojë serinë e fitoreve.
Me ballshiotët, Vllaznia do të ballafaqohet përsëri me datë 4 mars 2026 në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku pas asaj fitoreje në transfertën e sfidës së parë 0-1 në Ballsh, konsiderohet favorite për të siguruar një biletë gjysmëfinale.
Por, pa shkuar tek 4 marsi i Kupës së Shqipërisë, tifozëria e zjarrtë shkodrane pret të shijojë klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, takim ky i planifikuar të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të premten e ardhshme të 27 shkurtit duke filluar nga ora 19:00 në kuadrin e javës së 26-të të Abissnet Superiore.
(Video) Pronononcimi i trajnerit Edi Martini për ndeshjen e fundjavës, Bylis-Vllaznia, e vlefshme për javën e 25-të të Abissnet Superiore.



