Ismet Hoxha, një ndër emrat e njohur të futbollit shqiptar në vitet 1960-70, me aktivizimet e tij te Partizani e sidomos Vllaznia, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”.
Ish-sulmuesi ka analizuar për gazetën pikërisht kampionatin shqiptar deri më tani e në veçanti kuqeblutë. Duke theksuar se ekipi është totalisht në rrugën e duhur, e me përqendrim e vlerësim maksimal do dijë të shkojë drejt titullit kampion. Ndër të tjera 77-vjeçari ndalet edhe tek trajneri Martini dhe ajo çfarë i ka sjellë kësaj Vllaznie. E po ashtu vlerëson Bekim Balajn për golat dhe lidershipin e tij me skuadrën kuqeblu.
Profesor, si e keni shikuar kampionatin shqiptar deri më tani dhe garën e tij?
Them se deri më tani ka qenë një kampionat goxha i ekuilibruar, siç jemi mësuar pak në këto vitet e fundit ka një barazi vlerash mes ekipesh. Pra, ka shumë pak diferenca mes tyre dhe ndeshjet zhvillohen shumë të forta. Ndoshta nuk e ka atë cilësinë dhe spektaklin që duam, por ka garën dhe grintën. E besoj se kjo i jep ngjyra interesante Superiores, ku do doja që në stadiume në gjithë vendin të kishte më shumë tifozë. Të cilët patjetër do ishin një “bonus” dhe shtysë për futbollistët në fushën e lojës.
Po Vllaznia në syrin tënd, si duket?
Në opinionin tim është ekipi më i mirë i kampionatit, jo vetëm sepse renditja e tregon diçka të tillë momentalisht. Por, nga fakti se ka treguar futboll të një niveli më të lartë se të gjithë nga java e parë e deri më tani. Patjetër ekipi kishte një periudhë “krize” nëse mund ta quaj kështu, por këto momente i kalon çdo skuadër. Aktualisht është Dinamo që po vuan, po ashtu më parë ishte Partizani që po ngrihet pak nga pak. Pra, në kompleksitet, Vllaznia është ekipi më i mirë dhe kompletuar në Superiore, e po ashtu këtë e tregojnë edhe statistikat e përballjeve direkte me rivalët, ku kuqeblutë kanë qenë dominantë.
Si mund ta ruajnë shkodranët këtë ritëm?
Duke qenë të përqendruar e duke mos nënvlerësuar, e po ashtu duke i shtuar “gazin” tani. Është momenti i tyre dhe duhet shfrytëzuar në maksimum, në këto çaste ekipin ndoshta duhet të vrapojë dyfish, të luftojë dyfish. Normalisht duhen ruajtur forcat për javët e ardhshme, por nëse tani shfrytëzohet momenti, skuadra do ketë mundësi “relaksimi”. Megjithatë i shoh në rrugën e duhur dhe uroj të vijojnë kështu sepse mundësitë i kanë më shumë se kushdo tjetër në Superiore.
Cila ka qenë sipas jush pika më e fortë e skuadrës?
Duke nisur nga presidenca që në verë ndërtoi ekip me emra cilësorë, për të vijuar me stafin teknik me në krye Martinin e po ashtu futbollistët në fushën e lojës. S’dua të lë pa përmendur edhe tifozët e kur gjithë këta komponentë bëhen bashkë është më e lehtë gjithçka. Këto janë pikat e forta të ekipit të Vllaznisë, që besoj se është e kompletuar në çdo aspekt e që po na gëzon nga java në javë e po na mbush me shpresa këtë edicion. Gjithçka është në sinkron e kjo sjell pasoja pozitive në zinxhirë pastaj për skuadrën, që gëzon jo vetëm formë sportive pozitive, por edhe harmoni në gjithë ambientin.
Çfarë ka sjellë diçka ndryshe trajneri Martini, që s’ka qenë në vitet e mëparshme?
Ka sjellë grintën, dëshirën dhe dashurinë e një shkodrani për fanellën e Vllaznisë. Ndoshta kishte munguar disi kjo frymë në sezonet e shkuara. Shoh të gjithë të motivuar dhe asnjë të pakënaqur, ku edhe futbollistët që vijnë nga stoli japin gjithçka. Vetëm të shohësh si festohen golat, aty e kupton se çfarë ka sjellë Martini, i cili po ashtu arriti të menaxhonte edhe situata jo shumë pozitive, ku ndoshta ndonjë trajner tjetër do e kishte më të vështirë. Por, ai dhe pjesa tjetër e stafit e dinë se çfarë do thotë të përfaqësosh Vllazninë e këtë e kanë përçuar edhe tek futbollistët.
Ndonjë këshillë për kuqeblutë?
Asgjë të veçantë, thjesht të luajnë futboll me mendjen e qetë. Nëse arrijnë këtë është e pamundur të ndalen deri në fund. Të rrinë larg euforisë dhe presionit sepse dihet, në Shkodër kërkesa e “llogarisë” është shumë e lartë ndaj futbollistëve. Sidomos në këto momente ku ndodhet skuadra, prandaj t’i marrin ndeshjet një e nga një. Të vlerësojnë kundërshtarët dhe janë në rrugën e duhur, megjithëse këto gjëra që po them i di mjaft mirë stafi teknik që është shumë profesionist.
Kush është ai futbollist që të kujton veten në vitet kur luaje?
Unë kam luajtur sulmues e patjetër e kisha të “lehtë” të shënoja në atë ekip fantastik ku kam pasur fatin të luaj me emra si Bizi, Rragami, Zhega e shumë yje të tjerë. Prandaj një futbollist që më pëlqen e kujton disi veten është Bekim Balaj, udhëheqësi i skuadrës me gola. Por, jo vetëm rrjetat, është gjithashtu ajo çfarë transmeton tek ekipi që më pëlqen shumë. I uroj sa më shumë gola në çdo ndeshje e ta dërgojë Vllazninë drejt titullit
E besoni se ky është sezoni i duhur për të rikthyer titullin në Shkodër?
Patjetër që kam besim më shumë se asnjëherë, për gjitha arsyet që kam përmendur më sipër. Skuadra është e kompletuar dhe cilësore, ka treguar veten në ndeshje të forta dhe ka fituar. Them se ka ardhur momenti që kampionati të rikthehet në Shkodër pas 25 vitesh mungesë dhe pse jo edhe Kupa e Shqipërisë. Me skuadrën që mund të ripërsërisë suksesin tonë në vitin 1972 ku realizuam dopietë trofesh. Ia uroj me zemër titullin kampion Vllaznisë e Shkodrës, për këta tifozë të jashtëzakonshëm që jetojnë me ngjyrat kuqeblu.
Endri ÇINARI



