Naftëtari-Shiroka 0-3(Shënues: Anderson Filipi 23’, Erjon Vucaj 44’, Gabriel Olamide 53’)
Formacioni i KF Shiroka: Endri Lujkaj, Rinos Peku, Xhulian Kapllanaj, Gabriel Olamide,Erjon Vucaj, Arlind Kalaja, Kunavdoo Kenneth, Erjon Dulaj, Samet Ruqi, Anderson Filipi, Klejdi Dibra(U aktivizuan: Gabriel Rroku, Flori Leka, Klevis Bebeziqi, Brilant hasaj, Jakob Dreshaj). Trajner: Emiliano Bonazzoli
Pas humbjes së javës së parë në transfertë me Luzin 2008, faza e dytë e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së dytë për Shirokën ka vijuar me tre fitore radhazi. 9 me 0 ndaj Adriatik në shtëpi, 1 me 2 dhe 0-3 në transfertë ndaj Veleçikut dhe Naftëtarit.
Kjo e fundit ndaj kuçovarëve në kuadrin e javës së 15-të të grupit A, ishte e një rëndësie të veçantë, pasi e mbajti Shirokën në vendin e dytë duke i bërë presion Besëlidhjes, e cila kryeson me katër mirë më shumë në renditje.
Dy nga tre golat e kësaj ndeshje u shënuan në pjesën e parë, ku fillimisht ishte Anderson Filipi, i cili do të tundte rrjetën e portjerit vendas Idiamin në minutën e 23-të. Një minutë para se të mbyllej pjesa e parë është kapiteni Erjon Vucaj, ai që dyfishon avantazhin e Shirokës në 0 me 2 duke bërë që kjo pjesë loje të mbyllet me fitoren e Shirokës 0-2.
Për të garantuar fitoren e tre pikëshit në këtë ndeshje, italiani i pankinës së Shirokës, Emiliano Bonazzoli udhëzon futbollistët e tij për të vijuar lojën sulmuese. Dhe, goli i tretë nuk vonon të vijë në minutën e 53-të me autor Gabriel Olamide. 0 me 3 për Shirokën, e cila, megjithë përpjekjet e vendasve për të shkurtuar diferencen e golave të pësuar, minutat në vazhdim vijojnë të administrohen nga shirokasit duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin 0 me 3 në favor të Shirokës.
Në ndeshjet e tjera të grupit A ku luan Shiroka, lezhjanët e Besëlidhjes së drejtuar nga trajneri shkodran Elvis Plori, fitojnë në transfertë me Gramshin 0 me 2 dhe mbajnë kreun e tabelës së klasifikimit me 36 pikë duke qënë plus 4 nga Shiroka dhe 6 nga Sopoti i Librazhdit, i cili këtë javë fitoi ndaj Luzit 2008.
Një sfidë interesante ishte edhe ajo e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të qytetit të Pukës në derbin verior Tërbuni-Veleçiku. Dy skuadra të pozicionuara në mesin e tabelës që i ndante vetëm një pikë, me pukjanët në vendin e shtatë me 14 pikë dhe koplikasit e Malësisë së Madhe në të tetin me 13 pikë. Fitorja e pukjanëve 4-3 i çon në kuotën ë 17-të pikëve, vetëm 1 pikë larg Luzit të vendit të 6-të duke dhënë sinjale pozitive për kapjen e gjashtëshes së parë.



