Besëlidhja, kryesuese e kampionatit të Superligës së basketbollit meshkuj, shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë.
Dueli në finale me Tiranën mbyllet me një rezultat të thellë 104-65 në favor të lezhjnavë të drejtuar nga trajneri Afrim Bilali duke u bërë fitues të Kupës së Shqipërisë 2026.
Një fitore e madhe dhe e merituar e Besëlidhjes në përvjetorin e 70-të të kompeticionit. Në finale u ndeshën skuadrat që mbajnë vendin e parë dhe të tretë në kampionat. Besëlidhja, kryesuese e kampionatit, eliminoi në gjysmëfinale Teutën, ndërsa Tirana mundi Kamzën në shtunën pas kohës shtesë, çka pati ndikim fizikisht te bardheblutë në finale.
Në minutat e para, duke ditur impenjimin fizik të Tiranës vetëm një ditë më parë, Besëlidhja bëri ndryshime të shpeshta për të qenë e freskët karshi kundërshtarit më të kufizuar në rotacion. Lezhjanët e nisën me mbrojtje një për një e më pas kaluan në zonle duke i vështirësuar Tiranës konkludimin në gjuajtjet për tri pikë.
Pas startit të ekuilibruar, Besëlidhja shkon në 20-11, ndërkohë që mbyll periodën e dytë 40-16, duke e çuar rezultatin e gjysmës së lojës në 55 me 27.
Me këtë rezultat, Tirana dorëzohet teknikisht e fizikisht, ndërkohë që shfaqet edhe tepër nervoze. Superioriteti i lezhjanëve ishte i dukshëm edhe në periodën e tretë, në përfundim të së cilës shifrat shkuan 83-45. Në këto kushte, perioda e katërt ishte thjesht një formalitet që duhej kryer, pasi Besëlidhja ishte fituese e padiskutueshme e një finaleje pa histori. Lezhjanët e mbyllën ndeshjen me 39 pikë diferencë, 104-65, duke bërë të tyrin trofeun e madh.
Pjesë e kësaj finaleje ishin edhe nderimet me çmime të disa figura të basketbollit shqiptar. Kështu, në pushimin midis pjesëve, me rastin e 70-vjetorit të Kupës së Shqipërisë u nderuan disa figura të shquara të basketbollit shqiptar, si Astrit Greva, Muhamet Përmeti, Vaso Shaka dhe Dhimitër Kacorri, për këtë të fundit çmimi u tërhoq nga Mikel Serbo.



