Në kuadrin e ndeshjeve të raundit të parë parakualifikues për Eurobasketin e vitit 2029, kombëtarja e basketbollit shqiptar për meshkuj është grumbulluar në qytetin e Shkodrës. Federata Shqiptare e Basketbollit ka zgjedhur Shkodrën për faktin se ndeshja e radhës e ekipit kuqezi, ajo përballë kombëtares së Sllovakisë do të luhet në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi”.
Në pritje të kësaj sfide shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshmë të grupit Grupit C parakualifikues, e cila është planifikuar të luhet të hënën e ardhshme të 2 marsit 2027, kombëtarja kuqezi vazhdon të përgatitet me nga dy seanca stërvitore në ditë.
Për t’u theksuar është se në krye të ekipit kombëtar, Federata Shqiptare e Basketbollit ka emëruar ditët e fundit trajnerin nga Spanja, Ricardo Gonzales, ndërkohë që trajneri i mëparshëm Erkand Karaj, njëherazi edhe trajner i Tiranës në kampionatin shqiptar, do të vijojë të shërbejë në cilësinë e zëvendëstrajnerit.
Pjesë e listës së kombëtares së Shqipërisë, është edhe basketbollisti i Vllaznisë, shtatlarti, 2.08 Klajdi Kiri, i cili me paraqitjet e tij pozitive në ndeshjet e Superligës së basketbollit shqiptar ka marrë vlerësimin e stafit teknik të kombëtares.
Ndërkohë, ashtu si edhe në përfaqësimet e mëparshme, pjesë e kombëtares janë edhe basketbollistët shkodran, Çelis Taflaj dhe Sinani, të cilët luajnë në kampionatin italian të basketbollit.
Në pritje të ndeshjes zyrtare ndaj Sllovakisë, kombëtarja e kuqezi ka planifikuar të zhvillojë një ndeshje miqësore në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në të cilën Federata Shqiptare të Basketbollit ka programuar të bëjë prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, spanjollit, Ricardo Gonzales.
Në grupin ku luan Kombëtarja e basketit shqiptar bën pjesë edhe kombëtarja e Kosovës, së bashku me Sllovakinë. Ndeshjen e parë kualifikuese FIBA EuroBasket, Pre-Qualifiers, Shqipëria e ka luajtur në transfertë me Sllovakinë ku është mundur me rezultatitn 73 me 63, ndërkohë që në ballafaqimin e dytë të luajtur më 30 nëntor të vitit të kaluar, në Pallatin e Sporteve “Qazim Dervishi” Shqipëri-Kosovë, sfidë e cila është futur në histori si përballaja e parë zyrtare mes dy kombëtareve, Shqipëri dhe Kosovë, kombëtarja kosovare e ka fituar me shifrat 84 me 99.
(Video) Pamje nga seanca stërvitore e kombëtares së Shqipërisë në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës.


