Shqipëria U-21 ka zyrtarizuar një miqësore kundër ekipit të Uzbekistanit. Sfida do të luhet më 30 mars, në orën 14:30, në Antalia të Turqisë dhe është një test i rëndësishëm për kuqezinjtë në ndërtimin e një ekipi sa më konkurrues për të ardhmen.
Në një prononcim për fshf.org, trajneri Alban Bushi ndalet te rëndësia e kësaj përballjeje dhe grumbullimit të radhës, duke e konsideruar atë një hap të vlefshëm në konsolidimin e grupit dhe rritjen e cilësisë së skuadrës. Tekniku kuqezi komenton gjithashtu afrimet e reja, konkurrencën në ekip dhe situatën aktuale të lojtarëve në prag të këtij grumbullimi.
Miqësoret në kuadër të përgatitjeve për Euro U-21 2027 – Janë ndeshje të rëndësishme. Bëhen të rëndësishme vetë sepse kemi shumë kohë pa u grumbulluar. Jam shumë i gëzuar që do të grumbullohemi tani, do të jemi bashkë për t’u stërvitur, luajtur, për objektivat dhe qëllimet tona. Ndeshja me Uzbekistanin është një ndeshje e mirë. Ne ishim përgatitur për dy ndeshje të tjera, ndaj Amerikës dhe Japonisë. Por për shkak të problemeve në Lindjen e Mesme, miqësoret u anuluan dhe zgjodhëm si kundërshtar Uzbekistanin.
Sa e njihni Uzbekistanin si kundërshtar – Është një kundërshtar që duhet respektuar dhe vlerësuar sepse ka bërë mirë në Kupën Aziatike. Duhet të përgatitemi, e kemi parë së fundmi. Është një ekip që luan bukur futboll, të lë të luash futboll. Është një ekip interesant. Unë mendoj që do të jemi favoritë në këtë ndeshje. Ekipi është në gjendje të mirë, lojtarët kanë më shumë minuta se më përpara. Kemi marrë edhe disa lojtarë të rinj, të cilët dua t’i falënderoj që zgjodhën Shqipërinë si Gojani, Asani dhe Dibrani. Për herë të parë vijnë edhe Ergis Arifi i Teutës dhe Olsi Myrta i Laçit. Duhet të tregojnë veten e tyre, në kampionatin shqiptar kanë bërë mirë. Por U-21 është një nivel tjetër dhe do t’i shohim nëse do jenë në gjendje për t’i përballuar dhe për të qenë në të ardhmen pjesë e këtij ekipi.
Çfarë mund të sjellin lojtarët e rinj tek U-21? – Kemi marrë dy mesfushorë si Dibranin dhe Asanin, të cilët janë shumë aktivë dhe agresivë. Strategjia jonë është që të luftojmë shumë, të jemi shumë aktivë dhe të kemi shumë agresivitet. Dhe këta janë lojtarë që i plotësojnë këto kushte. Mendoj që do të na bëjnë shumë punë për lojën që bëjmë ne. Kam besim tek ata. Por edhe lojtarët e tjerë që kemi aktualisht, janë lojtarë që kanë bërë mirë muajt e fundit dhe mendoj se do të ketë shumë konkurrencë në grup. Këtë gjë kërkojmë. Të kemi sa më shumë konkurrencë, një ekip solid që të kemi një ekip sa më të fortë në finalet e U-21.
Gjendja e lojtarëve dhe si paraqitet situata para grumbullimit – Shumica e lojtarëve kanë minuta. Mezi po pres që t’i takoj dhe të flas. Kemi disa lojtarë që ne i kemi titullarë, por nuk kanë shumë minuta në këmbë. Kjo gjë nuk është mirë as për ne as për ata dhe duhet gjetur një alternativë e mirë që në 2027 të kenë minuta. Më mirë në ekipe me pak emra dhe të kenë minuta sesa në ekipe me emra të mëdhenj dhe mos të kenë minuta. Kam si shembull Bashën, i cili është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, që luan me Catanzaron në Serinë B, por s’ka marrë minuta. Ne duhet t’i ndihmojmë që të jenë gati për Europianin e 2027.
Konsolidimi i grupit për Euro 2027 – Disa lojtarë i kemi pasur në mendje, që mund të ishin. Por duke kërkuar gjithmonë lojtarë, futbolli është i tillë që zhvillohet çdo ditë. Dhe lojtarët zhvillohen. Mund të kesh 1-2 lojtarë të sigurt, por mund të vijnë dy të tjerë më të mirë. Dhe ky është ekipi kombëtar. Lojtarët duhet të jenë në formë maksimale për të përfaqësuar Shqipërinë. Duhet t’i japin gaz për të marrë pjesë në Europian. Ne kemi 6-7 sulmues, 4 prej të cilëve do të vijnë në Europian. Për këtë arsye duhet të luftojnë shumë, të kenë minuta në këmbët e tyre, të bëjnë sa më shumë gola dhe të jenë aktivë. Uroj të bëjmë një ekip solid. Unë besoj shumë sepse kemi luajtur shumë mirë ndeshjet e fundit, kemi krijuar lojën tonë. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Uroj që edhe lojtarët e rinj të integrohen sa më shpejt me lojën tonë.
Objektivi për ndeshjen ndaj Uzbekistanit – Objektivi është dhe ka qenë gjithmonë fitorja. Intensiteti dhe agresiviteti në fushë për të dhënë maksimumin në fushë. Në momentin që jep maksimumin, nuk është problem rezultati. Do ta bëjmë këtë gjë edhe ndaj Uzbekistanit. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë.



