Vllaznia dhe Dinamo kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiore” me shifrat 0-0. Pas këtij dueli ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja.
“Sigurisht që në këtë moment na duhen pikët dhe jo loja. Por ajo që më kënaqi me ekipin tim, nuk është rezultati. Pavarëisht se barazimi në Shkodër nuk është keq, por nga mënyra e lojës ne sot ishim shumë vertikalë. Donim që të shkonim sa më shpejt tek porta kundërshtare. Ajo që më pëlqeu sot, jo vetëm lojtarët që kanë munguar këto javë dhe ishin startues, por edhe ato që u futën nga stoli, ishin në maksimum. Mu kujtua forma e ekipit para 2026.
Kjo ishte gjëja më e bukur, si stoli dhe ato të fushës ishin një grup si para këtij viti. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur probleme në atmosferë, mungesa e pikëve dhe rezultatin, kishin krijuar një atmosferë shumë të zymtë në klub. Përsa i përket lojës, e kemi filluar mirë, kemi pasur në momentet e para disa raste. Kemi bërë një gabim në momentin e sulmeve të Vllaznisë, që e shpjeguam në pushim të ndeshjes. I dhamë mundësi Vllaznisë që të na dëmtonte me topa në thellësi.
Besoj që sot spektatorët që ishin në stadium edhe ato që kanë parë ndeshjen, kanë parë një ndeshje të bukur nga Dinamo dhe Vllaznia, gjë për të cilën jemi të kënaqur, por neve më shumë na duhen pikët. Por një pikë në Shkodër, është një pikë e mirë.
Rasti në fund? Kur të krijohet një rast i tillë të vjen keq që mos të shkosh drejt finalizimit, por duhet marrë parasysh që me një lojë në atë lloji intensiteti, futbollistët nuk janë aq të qetë për një pasim të fundit.
Nga ato që pordhuan dy ekipet, rezultati më i drejtë ishte barazimi. Ajo që ndryshoi pjesën e dytë, ishte fakti që duke parë që Vllaznia luante me 2 lojtarë të fortë në ajër, Balaj dhe Bismark, bëmë gabim që Alijin dhe Teixeira i lamë në 1 kundër 1. Kjo sepse edhe Meksi edhe Neziri bënin një gabim të vogël, që është i rëndësishëm në vendosje. Ato paravendoseshin duke markuar lojtarët e 5-të të kundërshtarit.
Në pjesën e dytë spostuam Ditën si forcë e 3-të në qendër dhe zbritëm Vilën dhe Malomon si dy ekrane, për të neutralizuar mënyrën e lojës së Vllaznisë me topa të gjatë, edhe tek Balaj dhe Bismark, që mbështeteshin nga pjesa e lojtarëve të 5-të, si Yago dhe Mala në krahët e Vllaznisë. Ajo që ndoshta nuk u bë mirë në pjesën e dytë, ishte që në momentin që ne dilnim në kundërsulm, për një pasim në diagonal, mundet të kishim rrezikuar ose të paktën të kishim finalizuar me goditje në portë. Më e rëndësishme është ajo ku në anën psikologjike të paktën, sot ekipi u rikthye, kishte tjetër lloji entuziazmi dhe përkushtimi për të marrë rezultat pavarësisht se luanim me kryesuesen e kampionatit.
Dy lojtarët tonë që sot funksionuan mirë, ishin Vila dhe Malomo. Krijuan superioritet dhe më pas niseshin shpejt me treshen e sulmit, edhe sulmi bëri mirë. Në kundërsulme, ata ishin efikasë, përveç se na mungoi shërbimi, jo për shkak altruizmi, por na mungoi shërbimi Berisha-Bregu dhe anasjellas. Në këto kundërsulme, këto lojtarë ishin ata që mund të dilnin 1 kundër 1 me stoperat e Vllaznisë, për të shkuar drejt finalizimit. Këtë, ne e bëmë mirë, krijuam gjerësi me Bregun dhe Berishën.
Final Four, i arritshëm? Sigurisht që ne do të luftojmë në të dyja frontet. Përveç Final Four dhe pikët na japin të drejtë të luftojmë deri në fund fare. Duhet të rikthehemi fort, por ne kemi edhe Kupën, gjysmëfinalen. Pra jemi në të dyja drejtimet jemi në objektiva, por duhet sforco shumë e madhe. Pasi mbaroi ndeshja, lojtarët kërkuan 3 ditë pushim e kanë të nevojshme. Por për këto takime që kanë mbetur, të them të drejtën më kërkuan pushim 3 ditë, por të gjithë bashkë vendosëm që për këtë lloji objektivi dhe për pikët që kemi lënë pa marrë, vendosëm ta ulnim një ditë pushimi dhe të jemi të fokusuar, të gjithë bashkë, në fund kampionati të bëjmë maksimumin. Të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Daja.


