Teuta dhe Partizani kanë ndarë pikët në përballjen e javës së 29-të të “Abissnet Superiore”, duke dhuruar emocione dhe katër gola në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. Takimi u mbyll me rezultatin 2-2, pas një loje të luftuar dhe me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, që synonin një fitore të rëndësishme në garën për “Final 4”. Pas këtij dueli ka folur trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi.
“Futbolli është lojë gabimesh, çfarë të bëjmë, nuk i fajësojmë dot. Me volumin që dhanë çunat ishte mirë, por jemi pak naivë, nuk e kuptoj pse. Humbim topin dhe nuk jemi të vëmendshëm atëherë kur përqendrimi duhet të jetë më i madh. Pas golit të pësuar reaguam mirë, shënuam 1-1, 1-2, këto ndeshje duhen fituar. Mënyrën si e interpretuan djemtë nuk them që luajtën super ndeshje, por ishin të ndërgjegjshëm për ndeshjen që luhet. Partizani është ekip në formë, donim të fitonim. Më vjen keq për gjithë këto tifozë që erdhën sot, prisnin 3 pikëshin, por ky është futbolli, u kërkoj falje tifozëve. Na vjen keq.
Golin e parë e morëm kur topi ishte për ne. Murataj futi një krosim, lojtarët duhet të ishin më të vëmendshëm në markim. Nëse do e marrim pjesën e parë, Partizani nuk na rrezikoi, vetëm kur Atanaskoski krosoi te Sidibe. Besoj që duhet të ishim më të qartë për të rikuperuar topat, në fazën e tranzicionit pozitiv. Alternativat që kishim në sulm pas daljes së Dacit, ishim të obliguar të bënim diçka të tillë. Në pjesën e dytë duhet të ishim agresivë për të kërkuar fitoren. Ishim të destinuar për të fituar, për Final Four.
Te tranzicioni pozitiv nuk ishim në nivelin që duhet të jemi. Mungonte sepse kur të humb një pikë referimi, pavrësisht se u munduam me Bocin dhe Arifin, por edhe me Vilën. Duhet të bëjmë zgjedhjet, nuk është e thjeshtë. Një trajner ka plan, por kur del një i dëmtuar, por kur ke edhe mungesa, komplikohen gjërat. Nuk mund t’ia marrim hakun edhe djemve. Duhet të interpretonim ndryshe, të ishim më efikasë në lojën ofensive. Por kishim rast në goditje standarde. Golat që marrim, i marrim për naivitetin tonë. Ndonjëherë kur të mungojnë lojtarët që kanë automatizma, është e vështirë për t’u adaptuar”, tha Dobi.



