FAZA PLAY-OFF E KUPËS SË BOTËS/ TRAJNERI SILVINJO & KAPITENI GJIMSHITI: NDESHJA NDAJ POLONISË, NJË NGA MË TË RËNDËSISHMET. PROVOJMË GJITHÇKA QË TË ARRIJMË KËTË ËNDËRR!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së play-off të Kupës së Botës me Poloninë, sfidë që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “PGE Narodowyt” të Varshavës.

Në fjalën e tyre, si trajneri dhe kapiteni i kuqezinjve vunë në dukje rëndësinë që ka kjo sfidë, ndërsa treguan se gjithë skuadra është gati për të arritur qëllimin e madh, për të shkuar në finalet e botërori.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, trajneri Silvinjo vlerësoi ekipin polak, trajnerin dhe lojtarët e kësaj përfaqësueseje. Tekniku brazilian theksoi se skuadra jonë është përmirësuar shumë nga viti 2023 deri më sot dhe e konsideroi takimin e nesërm si një nga më të rëndësishmit në karrierë.

Silvinjo nënvizoi se nuk e ka vendosur ende formacionin për nesër ndërsa theksoi në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë.

Kundërshtari dhe a do të luajnë Muçi dhe Mehmeti nesër? – Polonia nuk është një skuadër që ka një zotërim topi shumë dominant por në tranzicion janë të fortë. Janë një skuadër që preferojnë të dominojnë në pjesë të caktuara të fushës me anë të lojtarëve të shpejtë që ka. Ndaj Holandës kanë pasur ndeshje të mira, janë vetëm 3 pikë larg tyre në grupin ku ishin. Është një skuadër e mësuar duke luajtur në Europian dhe në Kupën e Botës. Siç e thashë dhe më herët, është një skuadër që në tranizicion mund të shënojë gola lehtësisht sepse ka lojtarë të mirë që kanë aftësi për të shënuar. Ndërkohë edhe trajneri i tyre është shumë i mirë dhe ka arritur të krijojë një skuadër shumë të organizuar si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në aspektin difensiv. Është një skuadër më e mirë se një vit më parë. Sa i përket lojtarëve Muçi dhe Mehmeti, kemi pasur kontaktin e parë me këta lojtarë ditën e hënë dhe kemi arritur të zhvillojmë disa seanca stërvitore deri më tani. Është e pamundur të përcaktoj deri më tani se si do të jetë zgjedhja në vazhdim. Por jam i qartë që janë dy lojtarë që ne i kemi sjellë në skuadër, Mehmetin kohë më parë dhe Muçin ka qenë vazhdimisht. Janë lojtarë që e gjejnë portën, që mund të shënojnë dhe siç e kam thënë dhe më parë, ne duhet t’i përshtatemi situatës. Por e dimë që janë lojtarë të cilët nëse i hedhim në fushë, mund të bëjnë shumë mirë për skuadrën.

Sa ka ndryshuar kjo skuadër nga 2023 sot? – A është kjo ndeshja më e rëndësishme e Silvinjos dhe Shqipërisë? – Këtë duhet ta thoni ju, sepse ju e ndiqni dhe ju e keni për detyrë që të ndiqni Kombëtaren, lojtarët e rinj, si ata aktivizohen. Unë mendoj që ne jemi përmirësuar shumë nga 2023. Unë flas për ciklin tim, nuk i referohem cikleve dhe trajnerëve të mëparshëm. Po, për mua ka pasur përmirësim nga 2023 skuadra jonë. Edhe Polonia në fakt. Sa i përket pyetjes nëse kjo është ndeshja më e rëndësishme, për Shqipërinë dhe mua si trajner, kemi pasur eksperiencën e finaleve të Euro 2016 dhe 2024, kemi luajtur disa ndeshje të rëndësishme ndër të cilat edhe ndeshja ndaj Serbisë. Besoj që po, është një nga ndeshjet më të rëndësishme.

Je një person i surprizave, do të ndryshojë diçka në ndeshjen e nesërme? – Siç e thashë edhe më sipër, kjo skuadër është rritur shumë. Sigurisht që kemi lojtarë qe mund të luajnë si sulmues krahu, por edhe sulmues në qendër. Çdo gjë duhet të përshtatet dhe varet edhe nga karakteristikat e lojtarëve. Duhet t’i përshtatemi situatës. Nuk më pëlqen të qaj. Nuk ankohem për mungesat. Na mungojnë 2-3 lojtarë, por duke u bazuar te karakteristikat e lojtarëve, duhet t’i përshtatemi situatës.

Trajneri polak ka thënë që Polonia do të fitojë nesër dhe se Shqipëria nuk do të na surprizojë nesër – Nuk ia kam idenë se pse ai e ka thënë këtë gjë. Nuk është se e njoh personalisht, por më është dukur një trajner dhe person shumë i sjellshëm dhe edukuar dhe po bën një punë shumë të mirë me Poloninë. Mendoj që ka një përgjegjësi shumë të madhe sepse luan në shtëpi dhe ka një ekip shumë të mirë dhe lojtarë shumë të mirë. Edhe ne kemi një ekip dhe lojtarë shumë të mirë në fakt. Gjatë vitit 2024 kemi arritur të kemi një eksperiencë shumë të mirë në Euro 2024 duke u përballur me ekipe shumë të forta njëherazi. Besoj se në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. Nuk janë dy 90-minutësha, është vetëm një, kështu që po përgatitemi të bëjmë më të mirën.

Pllana, Shehu dhe Muçi e njohin mirë kampionati polak. Sa do na ndihmojnë nesër dhe a do shohim ndonjë prej tyre në fushë? – E kemi ndjekur kampionatin polak. Është një kampionat fizikisht shumë i fortë, ndryshe dhe i vështirë dhe me një tranzicion shumë të shpejtë. Dy vite më përpara kemi qenë pikërisht këtu për të parë një ndeshje të Muçit kundër Aston Vilës. Po ashtu kemi ndjekur edhe Pllanën dhe Shehun. Duke i pasur këta lojtarë pjesë të skuadrës na ndihmon në ndërtimin e gjithçkaje. Nuk e di nëse do të luajnë të tre. Jam i kënaqur me listën, me faktin që i kemi të tre pjesë të skuadrës dhe për rëndësinë që ka kjo ndeshje. Siç e kam thënë dhe më herët, Pllanën kemi 6 muaj që e ndjekim. Tani erdhi momenti. Kemi pasur vetëm dy stërvitje me të. Mbetet dhe stërvitja sot. Nuk e di ende se kush do të luajë, por jam i kënaqur me listën dhe me çdo gjë.

Krahasimi i kësaj ndeshje me përballjen e fundit kundër Polonisë në Tiranë – Në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. Tifozët janë pjesë e forcës tonë. I kemi gjithmonë në stadium, afër hotelit dhe jam i kënaqur për këtë gjë. Sa i përket ndeshjes së fundit në Tiranë, ka kaluar. Ka qenë një moment tjetër për të dyja skuadrat. Do të jenë 90 minuta shumë të rëndësishme dhe të vështira, me sa më pak gabime, me shumë përqëndrim. Nuk ka lidhje me ndeshjen e dy viteve më parë, janë kushte të ndryshme për të dyja skuadrat. Por besoj do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë.

Lewandowski dhe cilin lojtar polak sheh trajneri më të rrezikshëm te Polonia – Është e vërtetë, është një nga lojtarët më të mirë në botë. I kam parë edhe ndeshjet e tij të fundit me Barcelonën, rreth tij është një ekip i tërë që luan. Ka edhe lojtarë të tjerë të mirë si Zelinski, Zimanski, edhe ju i njihni. Ne duhet të kemi kujdes nga e gjithë skuadra në fakt, duhet të jemi të vëmendshëm. Është një lojtar që mund të jetë i rrezikshëm, por Polonia është një skuadër e nivelit të fortë fizik dhe teknik. Nuk është i vetmi lojtar që mund të na sjellë probleme.

Kapiteni Berat Gjimshiti në konferencën për shtyp tregoi se skuadra është gati që të japë maksiumin, me qëllimin për të bërë një ëndërr të madhe realitet. Qendërmbrojtësi theksoi se shanset janë të barabarta, ndërsa tregon se ekipi është maksimalisht i motivuar.

Mundësia për të shkuar në Botëror – Eksperiencat në ndeshjet e fundit të Kombëtare kanë treguar se zhvillimi ka qenë i mire. Besoj se do jemi gati që të japim maksiumin. Kundërshtari ka një nivel të lartë, por ne do të provojmë gjithçka që të arrijmë këtë ëndërr.

Gjendja e skuadrës – Unë besoj se ekipi do të jetë gati, pasi është një rast i madh dhe besoj se nuk ka shumë lidhje eksperienca në këto ndeshje, por është dëshira, vullneti dhe djersa, çdo gjë që lë në fushë, ndaj besoj se ai që është më i aftë do të fitojë.

Dueli me Lewandowskin – Është e vështirë të përballesh me Lewandowskin, nuk ka dyshime, pasi në vitet e fundit ka treguar një nivel të lartë. Është një nga sulmuesit që ka bërë karrierë të gjatë në nivele të larta. Nuk do jem vetëm që do provoj ta ndaloj Lewandowskin apo të tjerët. Duhet e gjithë skuadra të jetë në momente të mira, si në mbrojtje ashtu dhe në sulm.

Çfarë do të thotë të drejtosh ekipin si kapiten? – Nëse do të bëja një histori kaq të madhe me Shqipërinë si kapiten do të ishte e mrekullueshme. Duhet të vazhdojmë hap pas hapi, duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë.

Shanset dhe strategjia -Besoj se shanset kur futemi në fushë jane 50% me 50%, kështu që unë futem në fushë për fitore si gjithë Kombëtarja. Kemi marrë shumë eksperiencë në ndeshjet e fundit, që do na ndihmojë dhe nesër. Taktikën e vendos trajneri, por duhet të jemi perfekt si në mbrojtje ashtu dhe në sulm për të fituar ndaj një Kombëtareje siç është Polonia.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img