Trajneri i kuqezinjve, Silvinjo, ka vendosur për 23 lojtarët që do të jenë në listën zyrtare të ndeshjes së sotme të Play-off-it kundër Polonisë. Ai është detyruar të lërë jashtë kësaj liste tre lojtarë.
Bëhet fjalë për Jasir Asanin, Nazmi Gripshin dhe Klisman Caken. Dy të parët janë sulmues krahu dhe duket se këtu trajneri brazilian ka alternativa të mira, aq më tepër që ka rikthyer Muçin dhe Mehmetin. Asani është nga ata lojtarë që i ka shënuar Polonisë, por te vendimi i trajnerit duket se ka ndikuar fakti që ai nuk ka qenë në aktivitet kohët e fundit.
Cake luan si qendërmbrojtës, ku të gatshëm janë kapiteni Gjimshiti, Ismajli, Ajeti dhe po ashtu Pllana, i cili është grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë. Edhe Pilo, mbrojtësi i majtë që vjen për herë të parë në Kombëtare, ka mbetur pjesë e listës së trajnerit Silvinjo.


