Kosova triumfoi në fushën e Sllovakisë, ku fitoi 3-4, duke qenë tani vetëm një hap larg Botërorit 2026. Një arritje historike për “Dardanët”, të cilët më 31 mars do të presin Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” për të diskutuar biletën që të çon në Kupën e Botës.
Entuziazmi është i jashtëzakonshëm pas asaj fitoreje me përmbysje në Bratisllavë. Përveç kënaqësisë shpirtërore për atë që dhuruan në fushë, lojtarët dhe stafi i Kosovës do të përfitojnë jo pak edhe financiarisht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar 500 mijë euro për fitoren ndaj Sllovakisë, që tashmë është arritur. Për kualifikimin e mundshëm në Botërorin 2026 ai ka premtuar 1 milion euro. Kështu, ndeshja me Turqinë vlen shumë për “Dardanët”.
Së pari, ata janë shumë afër realizimit të një ëndrre dhe do të japin gjithçka për të mos e humbur shansin e artë që u është dhënë. Pastaj në lojë janë edhe 1 milion euro, jo pak.


