Shqipëria U21-Uzbekistani U21, 3-2(Shënues: Ermir Rashica 17’, Etnik Brruti 30’, 32’/ Fayzullaev 22’, Abdurakhmonov Firdavs 71’)
Formacioni i Shqipërisë U21: Giulio Veliaj (GK), Diar Vokrri, Arlind Kurti, Gabriel Ramaj, Elton Fikaj, Fabjan Përndreca, Aidon Shehu, Feta Fetai, Benjamin Dibrani, Etnik Brruti, Ermir Rashica. Trajner: Alban Bushi
Kombëtarja shqiptare U-21 fitoi ndeshjen miqësore ndaj Uzbekistanit me rezultatin 3-2, në një takim ku kuqezinjtë dominuan lojën dhe krijuan disa raste të rrezikshme gjatë gjithë takimit. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke treguar organizim dhe efikasitet në fazën sulmuese. Golat e fitores i shënuan Ermir Rashica dhe Etnik Brruti (X2).
Trajneri Alban Bushi e nisi takimin me këtë formacion titullar: Giulio Veliaj (GK), Diar Vokrri, Arlind Kurti, Gabriel Ramaj, Elton Fikaj, Fabjan Përndreca, Aidon Shehu, Feta Fetai, Benjamin Dibrani, Etnik Brruti dhe Ermir Rashica.
Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e 17 me Ermir Rashicën, i cili finalizoi një aksion të mirë të kuqezinjve.
Uzbekistani reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 22 me Fayzullaev.
Megjithatë, Kombëtarja U-21 reagoi menjëherë dhe mori sërish kontrollin e lojës. Etnik Brruti shënoi dy gola brenda dy minutash, fillimisht në minutën e 30 dhe më pas në minutën e 32, duke çuar rezultatin në 3-1 për Shqipërinë.
Në pjesën e dytë kuqezinjtë patën mundësinë të thellonin avantazhin, por në minutën e 70 Arlind Kurti humbi një goditje nga pika e penalltisë. Vetëm një minutë më vonë Uzbekistani ngushtoi shifrat në 3-2 me golin e Abdurakhmonov Firdavs.
Pavarësisht presionit të minutave të fundit, Kombëtarja shqiptare U21 arriti të administrojë rezultatin dhe të sigurojë një fitore të merituar në këtë ndeshje miqësore.


