(Video) Peshëngritje-Vllaznia, e treta në Kampionatin Kombëtar. Në konkurimin individual, Saimir Lagja kampion, Antonino Mullisi i dyti, Klevis Bazi i treti, Samoel Kola i katërti

Lexo

- Reklamë -spot_img

Vllaznia e drejtuar nga trajneri Artur Lagja, ka bërë një përfaqësim dinjitos në garat e Kampionatit Kombëtar të Peshëngritjes për të Rritur.

Ndonëse konkurimi i saj ka qënë me element të ri, falë talentit që disponojnë peshëngritësit kuqeblutë ato ishin mes më të mirëve të Kampionatit.

Vendi i tretë si ekip pas Tiranës dhe Partizanit, në gjirin e të cilëve ka element me përvojë konsiderohet një sukses për ekipin e Vllaznisë dhe njëkohësisht një garanci që me këtë brez të talentuar që ka në dispozicion,  shumë shpejt do të mbërrijë në krye si kampione ekipore.

Megjithatë, edhe pse me element të ri, në konkurimin individual, Vllaznia arriti të nxjerrë një kampion kombëtar, dhe ai është Saimir Lagja, i cili duke konkuruar në kategorinë e peshës deri në  71 kilogram ngriti 288 kg duke u shpallur kampion i kësaj peshe duke lënë pas në vend të dytë dhe të tretë peshëngritës me përvojë si nga Samoel Rrasa dhe Flavio Alliaj.

Një prezantim shumë të mirë nga ekipi i Vllaznisë bëri edhe Antonino Mullisi, i cili u rendit i dyti, nënkampion i peshës deri në 79 kg. Duhet theksuar se Mullisi konkuroi në një peshë me peshëngritësin e njohur  Briken Calja, i cili shkëlqeu me 342 kg në total, duke u shpallur edhe si sportisti më i mirë i aktivitetit, ndërkohë që në vend të tretë në këtë peshë është renditur Sajmir Xhepa.

Pas Saimir Lagjes dhe Antonino Mullisit, rezultatin më të mirë individual nga Vllaznia e realizoi peshëngritësi Klevis Bazi duke u renditur në vend të tretë, ndërkohë që Samoel Kola u rendit në vend të katërt.

Rezultatet teknike në konkurimin individual të peshave përkatëse janë këto:

Në kategorinë e femrave, në peshën 48 kg medaljen e artë e fitoi Anita Nurka me 38 kg në shkëputje, 42 kg në shtytje dhe 80 kg në dygarësh.

Në kategorinë 53 kg, në vend të parë u rendit Desjana Koni me 158 kg në total, ndërsa në vend të dytë Sibora Blloku me 90 kg.

Në kategorinë 58 kg, vendin e parë e fitoi Mira Nazaj me 85 kg në total, ndërsa performanca të mira dhanë edhe Julia Alihasani me 160 kg, Gea Dekollari me 130 kg dhe Vanesa Jaupaj me 115 kg.

Në kategorinë 69 kg spikati sportistja më e mirë e aktivitetit për femra, Enkileda Carja, e cila dominoi me 223 kg në total (100 kg në shkëputje dhe 123 kg në shtytje), duke konfirmuar nivel të lartë sportiv.

Në kategorinë 77 kg, vendin e parë e fitoi Joana Skëndaj me 189 kg në total, e ndjekur nga Maida Lozi me 187 kg dhe Elona Allmucaj me 147 kg.

Në kategorinë 86 kg, një paraqitje shumë të mirë realizoi Sarah Mattheë me 230 kg në total, duke treguar potencial të madh për të ardhmen.

Në kategorinë +86 kg, vendin e parë e fitoi Nanci Haxhiu me 120 kg, ndërsa në vend të dytë Ergisa Bershyti me 119 kg.

Në kategorinë e meshkujve, në peshën 60 kg Marsel Dursi u rendit i pari me 160 kg në total, i ndjekur nga Kejdi Tafani me 159 kg.

Në kategorinë 65 kg, Laurenc Hasko dominoi me 230 kg në total.

Në kategorinë 71 kg, vendin e parë e fitoi Sajmir Lagja me 288 kg, i ndjekur nga Samoel Rrasa dhe Flavio Alliaj.

Në kategorinë 79 kg, sportisti më i mirë i aktivitetit për meshkuj, Briken Calja, shkëlqeu me 342 kg në total, duke dhënë një performancë të nivelit ndërkombëtar, ndërsa pas tij u renditën Antonino Mullisi dhe Sajmir Xhepa.

Në kategorinë 88 kg, Erkand Qerimaj realizoi 334 kg në total, duke konfirmuar formë shumë të mirë.

Në kategorinë 94 kg, Ertjan Kofsha dominoi me 360 kg në total, ndërsa në kategorinë 110 kg Rilind Hysa realizoi gjithashtu 360 kg në total. Në kategorinë +110 kg, vendin e parë e fitoi Franko Ferra me 361 kg në total.

Në përfundim të garave u shpallën edhe ekipet më të mira. Për femra, vendin e parë e fitoi ekipi i Partizanit, duke u shpallur kampion kombëtar, i ndjekur nga Tirana në vend të dytë dhe Flamurtari në vend të tretë. Për meshkuj, titullin kampion e fitoi ekipi i Tiranës, ndërsa në vend të dytë u rendit Partizani dhe në vend të tretë Vllaznia.

Garat e këtij kampionat shërbyen edhe për testimin e peshëngritësve në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Batumi, Gjeorgji, më datë 30 mars 2026.

Me rezultatet e arritura, peshëngritja shqiptare konfirmoi edhe një herë se ndodhet në një moment shumë pozitiv zhvillimi, duke ndërthurur eksperiencën e sportistëve elitarë me energjinë dhe talentin e brezit të ri, në funksion të arritjes së rezultateve të larta në arenën ndërkombëtare.

(Video) Pamje nga konkurimi i peshëngritësve të Vllaznisë Sajmir Lagja, Antonino Mullisi, Klevis Bazi dhe Ensar Prroni në Kampionatin Kombëtar për të rritur.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img