Vllaznia e basketit për meshkuj është e motivuar për të bërë më të mirën në garën e Kampionatit të Superligës.
Aktualisht, e treta në renditjen e përgjithshme të kampionatit me 35 pikë, po aq sa ka edhe Tirana e vendit të dytë, me Besëlidhjen kryesuese në kuotën e 38 pikëve dhe Apoloninë e vendit të katërt me 34 pikë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Eni Llazani fokusimin tashmë e ka tek faza finale Play-Off.

Dy javë nga fundi i fazës së dytë, kuqeblutë kanë përpara edhe dy sfida të rëndësishme, fillimisht me Kamza Basket dhe më pas edhe Teutën e Durrësit. Dhe, pikërisht, në prag të ndeshjes së parë ndaj Kamza Basket, Vllaznia i ka marrë kësaj skuadre një basketbollist cilësor, amerikanin David Murray.
Me këtë përforcim, Vllaznia e koshit për meshkuj, shfaq hapur ambicjen e saj për të synuar seriozisht fitimin e titullit kampion.
“DEADLINE DAY TRANSFER
David Murray është zyrtarisht pjesë e familjes sonë!
Në ditën e fundit të merkatos, ai i bashkohet ekipit nga Kamza, si një nga qendrat më dominante në kampionatin shqiptar këtë sezon.
Statistikat e tij:
- 21.2 pikë për ndeshje
- 9.4 rebounde
- 1.9 asist
- 1.3 blloqe
Mirë se vjen, David!”, shkruhet në postimin e KB Vllaznia, shoqëruar edhe me videon e prezantimit.


