(Video) Futsal-Ndeshje e “çmendur” dhe spektakël në Vlorë! Vllaznia në avantazh 0-2, përmbys Flamurtari në 4-2, në fund fiton Vllaznia 4-5 duke kryesuar kampionatin me 10 pikë

Lexo

- Reklamë -spot_img

Flamurtari futsal-Vllaznia futsal 4-5

(Shënues: Roflenc Nelaj, Jurge Toska, Erald Leci, Talili(Aut.) / Semir Gokaj, Alsid Tafili(2), Denis Çokaj, Sajmir Hyseni)

Formacionet:

Flamurtari: Alban Shiba, Klark Kalus, Xhordan Kapaj, Roflenc Nelaj, Jurge Toska, Erald Leci, Oltion Rrapo, Erald Leci, Enea Resuli, Leji Liçaj, Jurgen Toska, Erik Konda, Besnik Balleshi. Trajner: Marjo Kalus

Vllaznia: Maldin Tafa, Alsid Tafili, Denis Çokaj, Semir Gokaj, Besfort Gjoklaj, Saimir Hyseni, Joald Ivziku, Mateo Çardaku, Rigers Xhahysa, Rei Boshti, Fatos Behari, Harald Jahaj. Trajner: Arben Xhaferi

Një ndeshje e “çmendur” e futsales, është konsideruar ajo në mes Flamurtarit vendas dhe Vllaznisë mysafire, sfidë e cila prodhoi spektakël, emocion dhe dramacitet deri në sekondat e fundit të krejt takimit.

E konsideruar si ndeshja kryesore e javës së katërt të Kampionatit  Kombëtar të Futsales, ndeshja e luajtur mbrëmnjen e së shtunës në pallatin e sportit “Flamurtari” të Vlorës vuri përballë dy skuadrat fituese të trofeve të sezonit të kaluar, Vllazninë kampione në fuqi dhe Flamurtarin fitues të Kupës së Shqipërisë.

Ndaj, edhe spektakli ishte i garantuar. Dhe, këtë flet edhe ecuria e ndeshjes, e cila u shoqërua me një luftë shumë të fortë sportive, hera herës edhe në kufijtë e ashpërsisë në fushën e lojës, ku pati jo pak momente dëmtimi nga radhët e të dyja skuadrave, të cilat fatmirësisht u përballuan me sukses nga stafet mjekësore.

Vllaznia në avantazh 0-2, përmbys Flamurtari në 4-2, në fund fiton Vllaznia 4-5, në një ndeshje që pati edhe tre penallti dhe disa kartonë të verdhë. E gjitha kjo është një tregues i qartë i nivelit të futsales shqiptare, ku duke përfshirë edhe Tiranën, edhe ajo pretendente për titull, në veçanti Vllanzia dhe Flamurtari kanë meritën krysore në këtë mes.

Referuar kronikës së lojës, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Arben Xhaferi shënojnë të parët, ku me dy golat e Semir Gokajt dhe kapitenit Alsid Tafili kalojnë në avantazh të dyfishtë 0 me 2.

Më pas vjen goli i vlonjatëve me Roflenc Nelajn, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 1 me 2.

Në pjesën e dytë vjen reagimi i skuadrës vlonjate, e cila me golat e Jurgen Toskës, Erald Lecit, dhe një autogol të kuqebluve, jo vetëm që barazon rezultatin në 2 me 2, por kalon në avantazh 4 me 2.

Një pushim i kërkuar nga trajneri Xhaferi, së bashku me konsulencën e kapitenit Alsid Tafili bën që në harkun kohor të pesë minutave, Vllaznia të rikthehet në lojën e saj më të mire, falë edhe aktivizimit të portjerit veteran Fatos Behari, i cili me përvojën e tij mbështet sulmin kuqeblu.

Denis Çokaj është ai që shënon golin e trete duke e ngushtuar në 4 me 3 avantazhin e vendasve.

Më pas në skenë del klasi i Saimir Hysenit, ku me një veprim të zgjuar teknik thyen sulmin vlonjat dhe pason saktë tek kapiteni Tafili që nuk nguron të shënoj golin e barazimit 4 me 4.

Dhe, kur luhej minuta e fundit, është po Sajmir Hyseni, i cili shënon golin e pestë dhe të fitores për Vllazninë duke vulosur rezultatin 4 me 5 në favor të kuqebluve.,

Me këtë fitore, Vllaznia e futsallës kryeson kampionatin me 10-të pikë e ndjekur nga Tirana me 4 dhe Flamurtari me 3.

(Video) Ndeshjen e futsales, Flamurtari-Vllaznia(Pjesa e parë dhe e dytë, të plota), si dhe prononcimet e dy protagonistëve të ndeshjes, Saimir Hyseni dhe Maldin Tafa, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img