“Shumë jam i mërzitur. Por kështu është futbolli, ka ditë të mira dhe ditë të këqija, sot ishte ditë e keqe dhe jam i mërzitur patjetër. Por jam shumë krenar për çunat se bënë sot një ndeshje shumë të bukur. Sot ishte maksimumi nga çdo lojtar, për ne ishte rrugë e gjatë e shumë e fortë, se Flamurtari, Partizani, Egnatia nuk ishte e lehtë. Por ky është futbolli e do vazhdojmë përpara, nuk ka tjetër rrugë.
Taktikisht nuk kam pishman, vetëm ndoshta pjesa e parë sot, mund të futeshim pak… sot ishim pak butë nga fillimi. E rregulluam në pjesën e dytë, ishim shumë mirë, barazuam rezultatin e ishim pranë golit të dytë. Por ndoshta nga fillimi, 20-25 minuta mund të bëhej më mirë, më agresivë, lojë më e shpejtë.
Nuk ishte gabim i lojtarëve dhe as strategjia ime. Problem ishte goli i parë nga Egnatia, e cila pastaj ishte gjithmonë me 7 lojtarë mbrapa dhe ishte shumë e vështirë të gjenim rrugën për golin. Ideja e tyre ishte kundërsulm me Grudën si lojtar i shpejtë. Ishte një rast kur reagoi mirë Manellari për kundërsulm. Ky ishte pak problem, nëse nuk do shënonte Egnatia, ndeshja do vazhdonte prapë e hapur e do ishte më e bukur. Ky ishte problemi në pjesën e parë, çunat reaguan, ishim më mirë në pjesën e dytë. Por penalltia ka nevojë edhe pak fat e sot fati ishte në krahun e Egnatias.
Edhe ata luajtën më shumë se ne me topin e gjatë, se ishte mesi i fushës shumë i fortë dhe asnjë skuadër nuk fitoi shumë avantazh ndaj u bë shumë me top të gjatë. Kur nisi ashtu, ishte ideja që të zbriste Ze Gomesh e pastaj do sulmohej hapësira me Lajthinë e Diallo me shpejtësi, ishte ideja si e Egnatias. Pastaj me Tsague është pak më mirë, se ai ka tjetër cilësi, mund të rrijë më afër portës, mund të mbajë topin, edhe poshtë, se është i fortë të mbajë fizikisht, kjo ishte ideja”, tha Gvozdenoviç për RTSH pas ndeshjes.


