(Video) Basketboll Meshkuj-Vllaznia humbet edhe duelin e tretë gjysmëfinal me Tiranën dhe eleminohet në garën për titullin kampion

Lexo

- Reklamë -spot_img

Tre ndeshje, tre humbje! Ky është bilanci i Vllaznisë së basketbollit për meshkuj në fazën gjysmëfinale Play Off.

Në këtë mënyrë, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Eni LLazani duke mos arritur të fitojnë asnjërin nga tre përballjet gjysmëfinale me Tiranën janë eleminuar nga ekipi i Tiranës duke e mbyllur këtu Kampionatin pa pasur mundësinë të vijojnë garën për titullin kampion.

Gjysmëfinalja e parë u luajt në Tiranë, ku bardheblutë fituan me rezultatin 87 me 84, ndërkohë që e dyta e luajtur në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” u fitua përsëri nga Tirana, këtë radhë me shifrat 86 me 90.

Në prononcimin e dhënë për mediet pas gjysmëfinales së dytë në Shkodër, trajneri i kuqebluve Eni Llazani, u shpreh se skuadra e tij do të bëjë më të mirën e mundshme për një fitore në gjysmëfinalen e tretë në Tiranë, në mënyrë që seria e ballafaqimeve gjysmëfinale Vllaznia-Tirana të vijonte me një ndeshje të katërt përsëri në Shkodër.

Por, megjithë përpjekjet e Vllaznisë, Tirana arriti të fitojë edhe gjysmëfinalen e tretë me shifrat 87 me 81 duke shkuar në finale e fazës Play-Off të Kampionatit Kombëtar të Superligës së basketbollit meshkuj.

Referuar ecurisë së takimit të gjysmëfinales së tretë, perioda e parë fitohet nga Tirana 25-22. Bardheblutë fitojnë edhe periodën e dytë, këtë radhë me shifrat 20-17 duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin 45-39.

Pas pushimit mes dy pjesëve, basketbollistët shkodranë ndryshojnë ritmin e lojës, dhe duke fituar periodën e tretë 23-13 përmbysin rezultatin, ku nga disavantazhi me gjashtë pikë, marrin avantazhin e ndeshjes 62-58.

Me këtë avantazh, u krijua përshtypja se Vllaznia do të bënte mirë edhe në periodën e katërt për të shkuar drejt fitores, por në dhjejëtëminutëshin e katërt dhe të fundit të krejt ndeshjes, është Tirana që dikton në fushën e lojës, ku përballë një Vllaznie që pushtohet nga gabimet e saj, fiton periodën e katërt 29 me 19 dhe fiton krejt takimin 87-81.

Për Tiranën shënuesi më i mirë ishte Xhonatan me 31 pikë, kurse për Vllazninë, Xhastin me 23 pikë.

Me këtë rezultat, bardheblutë e drejtuar nga Erkand Karaj, me serinë e tre fitoreve radhazi shkojnë në finalen e madhe për titullin kampion ku do të ndeshen me Besëlidhjen e Lezhës, e cila nga ana e saj eleminoi në gjysmëfinale Apoloninë.

(Video) Ndeshja gjysmëfinale Tirana-Vllaznia, e treta gjysmëfinale Play-Off

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img