Festë në Pogradec! Ekipi i volejbollit femra shkruan historinë duke u shpallur për herë të parë kampion i Shqipërisë duke mundur në finale Tiranën.
Dhe këtë e këtë arrin duke pasur në krye të skuadrës një trajner shkodran, si Besnik Lisha, një emër shumë i njohur i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, ku së bashku me bashkëshorten e tij Valbona Quku(Lisha) kanë qënë pjesë e Vllaznisë së Shkodrës për shumë vite me radhë.
Rikthimi nga Amerika, ku jetuan për shumë vite duke pasur një përvojë të pasur edhe në trajnimin e ekipeve amerikane, shoqërohet me kontributin në volejbollin shqiptar, fillimisht me Vllazninë, më pas me Skënderbeun dhe tashmë mbërrijnë kulmin duke u shpallur kampion të Shqipërisë me Pogradecin.
Titullin kampion, Pogradeci arriti ta fitojë pas plot pesë betejave finale. Dy të fituara nga Tirana, dy nga Pogradeci, dhe në sfidën e pestë finale, është Pogradeci që fiton me rezultat të pastër 3-0(25-16, 25-20, 25-17).
Por, suksesi i Pogradecit nën drejtimin e trajnerit Besnik Lisha, nuk është vetëm në fitimin e titullit kampion, pasi në këtë sezon ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë dhe Ligën “Gjergj Kastrioti” në volejboll për femra.
Gaspër MARKU


