Vllaznia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për kreun e Abissnet Superiore, duke mposhtur me rezultatin 2-0 Flamurtari në sfidën e javës së 36-të, të zhvilluar në stadiumin Loro Boriçi.
Skuadra shkodrane e nisi takimin me ritëm të lartë dhe arriti të kontrollojë lojën ndaj një kundërshtari që kishte humbur objektivat sezonale dhe tashmë ishte i rrëzuar matematikisht nga kategoria. Vllaznia tregoi superioritet në pjesën më të madhe të sfidës, duke krijuar raste të shumta dhe duke qenë më kërkuese në repartin ofensiv.
Protagonistët kryesorë të ndeshjes për kuqeblutë ishin Ara dhe Murataj, të cilët gjetën rrugën e rrjetës dhe udhëhoqën skuadrën drejt një suksesi me shumë vlerë. Pavarësisht reagimit të Flamurtarit dhe tentativës së vlonjatëve për të qëndruar në lojë deri në fund, vendasit arritën ta menaxhonin avantazhin dhe të siguronin tri pikët.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet sërish në vendin e parë të renditjes me 63 pikë, duke kaluar Elbasani me një pikë diferencë. Në krahun tjetër, Flamurtari mbyll një sezon zhgënjyes në elitën e futbollit shqiptar në vendin e fundit me 36 pikë.


