Shqipëria është gati të mirëpresë Kampionatin Europian të Socca-s, që nis zyrtarisht nesër në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Për këtë event madhor të minifutbollit europian është ndërtuar një mini-stadium modern, i cili do të presë për pesë ditë me radhë ndeshjet e 28 përfaqësueseve pjesëmarrëse.
Ndeshjet e para të turneut do të startojnë që në orën 09:00 të mëngjesit, me sfidën Bullgari – Irlandë, ndërsa gjatë gjithë ditës do të zhvillohen takime të tjera të fazës së grupeve, në një atmosferë festive dhe me praninë e tifozëve vendas e të huaj.
Në mbrëmje do të zbresë në fushë edhe Kombëtarja shqiptare e Socca-s, që do të luajë ndeshjen e parë në Kampionatin Europian ndaj Turqisë, në orën 21:00.
Përpara nisjes së takimit të Shqipërisë do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit Europian të Socca-s, ku është parashikuar një spektakël me muzikë, performanca artistike dhe elementë të shumtë festivë, duke i dhënë startin zyrtar këtij kompeticioni europian që organizohet për herë të parë në Shqipëri.
Gjatë ditëve të turneut, “Shtëpia e Futbollit” do të kthehet në epiqendrën e minifutbollit europian, duke mirëpritur skuadra nga e gjithë Europa dhe një numër të madh tifozësh e të apasionuarish pas këtij sporti.


