(Video) Konferenca për media/ Trajneri Maran & kapiteni Gjimshiti: Izraeli është një test i rëndësishëm, skuadra është e motivuar & e përgatitur për të dhënë maksimumin

Lexo

- Reklamë -spot_img

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes miqësore ndaj Izraelit. Ata folën për përgatitjet e skuadrës, atmosferën në grup, pritshmëritë për sfidën e parë nën drejtimin e teknikut italian, si edhe objektivat e ekipit në këtë fazë të re.

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, theksoi se skuadra ka treguar profesionalizëm, motivim dhe gatishmëri të madhe, pavarësisht lodhjes së një sezoni të gjatë, ndërsa formacioni do të përcaktohet edhe nga gjendja fizike e lojtarëve. Ai vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të fortë dhe kërkues, por u shpreh i bindur se Shqipëria duhet të luajë me kurajë, personalitet dhe agresivitet, duke synuar kontrollin e topit dhe fitoren.

Trajneri Maran nënvizoi se këto dy ndeshje miqësore do të shërbejnë për të konsoliduar idetë e tij, për të njohur më mirë skuadrën dhe për të ndërtuar ADN-në e re të Kombëtares.

A e ke në mendje formacionin për nesër dhe sa rëndësi ka rezultati për këtë ndeshje? – Është e rëndësishme të theksoj që kam parë disponibilitet shumë të madh nga lojtarët. Nuk është e thjeshtë të luash në ndeshje të tilla. Lojtarët vijnë nga një fund sezoni i vështirë, stresues dhe shumë i gjatë. Janë treguar profesionistë të vërtetë. Kam shumë gjëra në mendje. E rëndësishme që të jetë skuadër funksionale, edhe nga aspekti fizik, sepse formacioni varet shumë edhe nga karakteristikat e lojtarëve, si dhe cilët kanë më shumë minuta. Janë dy ndeshje që masin forcën dhe duhet të llogarisim lojtarët për të dyja ndeshjet që t’i luajnë të dyja në mënyrën e duhur. Kam parë disponibilitet të mirë, kjo ka rëndësi. Sigurisht duke shtuar edhe kurajon për të dalë në fushë dhe për të bërë një ndeshje të mirë, bëhet çdo gjë më e lehtë.

Pritet një Shqipëri më sulmuese nën drejtimin tuaj. Si e vlerësoni Izraelin si kundërshtar? – Ajo që është në fokus është që të jemi Shqipëri që kërkon të bëjë ndeshjen më të mirë të mundshme. Do të jetë hera e parë dhe kemi pasur pak ditë për të punuar dhe do të jetë pak e vështirë për të përkthyer çfarë kemi përgatitur për atë çfarë pritet në fushë. Ajo që kam parë dhe më ka pëlqyer, është dëshira dhe motivimi i lojtarëve për të vënë në praktikë atë që kam kërkuar. Do të shohim si do përkthehet në fushë. Kam parë një skuadër që e ka perceptuar mirë dhe që është shumë e mirë. Nuk është e lehtë me Izraelin, i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe të bën të vraposh pa top. Duhet të jemi të zotë të krijojmë shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta. Do jetë test i mirë, impenjativ dhe stimulues për ne.

A keni pasur mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur për ndeshjen? – Koha nuk është asnjëherë e mjaftueshme, sidomos kur je trajner dhe punon me një kombëtare. Janë shumë pak ditë që ke në dispozicion për të vendosur idetë e tua dhe për t’u njohur me lojtarët, sidomos ku është hera e parë që i takon. Besoj se ka mjaftuar koha për një koncept të qartë se si duhet të luajmë. Më pas çfarë do jetë e rëndësishme, është si do përkthehet në fushë nga lojtarët. Na ka shërbyer kjo kohë edhe për t’u njohur. Këto dy miqësore do të na shërbejnë për t’u njohur jo vetëm me idetë e futbollit dhe si do luajmë, por edhe për të gabuar dhe për t’u përmirësuar. Pres që të kemi qasjen e duhur, të provoj gjëra, pres dhe vështirësi, por në të njëjtën kohë pres një skuadër mendërisht të përgatitur për të kaluar vështirësitë. Nga se kam parë nga motivimi në skuadër, është sinjal i qartë që skuadra është në pikën e duhur dhe kjo gjë më ka pëlqyer.

Këto ndeshje do të shërbejnë edhe për t’u prezantuar ju si trajner. Sa rëndësi ka rezultati? – Rezultati është i rëndësishëm, po aq sa edhe performanca. Sidomos nëse kemi performancë të mirë dhe vjen edhe rezultati, do të përbënte një ndeshje perfekte. Janë dy ndeshje miqësore, por gjithmonë ka rëndësi rezultati. Për tifozët, ne luajmë këtu në shtëpinë tonë dhe tifozët e të gjithë në Kombëtare shpresojnë të dalim me fitore. Duhet të zbresim në fushë gjithmonë për të kërkuar fitoren, do të mundohemi ta marrim me anë të karakteristikave tona dhe me atë që do të provojmë të bëjmë. Do jetë e vështirë, por objektivi ynë do të jetë fitorja. Sigurisht që do ishte ndeshje perfekte nëse rezultati do të vijë dhe me performancë të mirë.

Futboll sulmues apo mbrojtës, ku e përfaqësoni ju veten? – Sigurisht, nuk është ndeshja PSG-Arsenal, por Shqipëria dhe ne duhet të krijojmë ADN-në tonë, të bazuar te karakteristikat e lojtarëve tanë. Nëse një trajner e mban të sigurt ose e konsideron një ide të tijën si absolute, nuk mund të evoluojë. Unë i vë në diskutim idetë e mia përherë dhe kjo është mënyra se si një trajner rritet vazhdimisht. Futbolli dhe lojtarët kanë ndryshuar në vitet e fundit. Ajo që më pëlqen është që skuadra që del në fushë, duke u bazuar te karakteristikat e lojtarëve, ta mbyllë ndeshjen dhe të sigurojë një rezultat pozitiv. Secila skuadër ka veçantitë e veta. Do të mundohemi të fshehim vështirësitë tona dhe t’i vendosim kundërshtarët në vështirësi. E kam thënë edhe në konferencën e parë, më pëlqen të kem një skuadër agresive. Më pëlqen ta kemi topin në kontroll dhe që skuadra të futet në fushë për fitore. Kundër Izraelit do të jetë e vështirë, sepse është një skuadër që përfiton nga detajet në posedimin e topit të kundërshtarit. Do të jetë një test i rëndësishëm. Ajo çfarë unë kërkoj është që skuadra jonë të jetë me kurajë dhe personalitet në fushë nesër.

A do të kemi ndryshim të skemës nesër? – Sigurisht që kam provuar disa gjëra, edhe pse kemi pasur pak kohë për t’u përgatitur. Jemi bazuar te karakteristikat e lojtarëve për të gjetur sa më shumë zgjidhje për mënyrën se si do të luajmë. Jemi fokusuar edhe te cilësitë ofensive të lojtarëve dhe mënyra se si ata i përgjigjen sulmit dhe ideve tona. Sigurisht, në këtë ndeshje do të shohim disa ndryshime nga më parë. Ka pasur shumë pak kohë, kemi edhe një stërvitje sot, në ditën e fundit, dhe më pas do të sqarohen e vendosen gjërat.

Kapiteni Berat Gjimshiti foli për fillimin e ciklit të ri të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Maran, atmosferën brenda grupit dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme.

Si e sheh ciklin me trajnerin e ri? – Nuk është e thjeshtë, sepse kthehemi nga një humbje e rëndësishme, me objektiva të qarta, për të arritur atë gjë që në fillim të kualifikueseve dukej e pamundur. Por, ashtu si shkoi i gjithë rrugëtimi, të gjithë ishim të bindur se mund ta arrinim kualifikimin, gjë që do të ishte shumë e bukur për ne si Kombëtare dhe si shtet. Besoj se ky është një rifillim i ri me një staf të ri. Jemi të gjithë shumë të motivuar dhe grupi është pothuajse i njëjti, me disa lojtarë të rinj. Jemi stërvitur shumë mirë këto ditë dhe jemi gati për këtë cikël të ri.

Sa keni arritur t’i kuptoni këto ditë idetë e trajnerit? – Kemi shumë pak ditë bashkë, por idetë janë të qarta. Në pak kohën që kemi pasur, kemi parë disa nga gjërat që kërkon trajneri për këtë cikël të ri dhe atë që ai dëshiron nga lojtarët në fushë. Sigurisht, sa më shumë kohë të kalojë, aq më mirë do të bëhet gjithçka. Besoj se jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë atë që kërkon trajneri dhe të japim maksimumin në fushë.

Sa të vështirë do ta ketë trajneri të risjellë filozofinë italiane në skuadër? – Nuk besoj se bëhet fjalë për një filozofi italiane. Besoj se çdo trajner ka idetë e tij, ashtu siç kishte edhe Silvinjo. Edhe trajneri i ri ka idetë e tij. Është detyra e tij të na i transmetojë ato dhe detyra jonë t’i zbatojmë në fushë.

E ke menduar largimin nga Shqipëria?- Nuk e kam menduar ende. Besoj se është një sinjal pozitiv. Shpresoj të luaj edhe disa vite të tjera, sa më gjatë të jetë e mundur. Më pas do ta marr vendimin, por për momentin as që e mendoj.

Çfarë ka ndryshuar me ardhjen e Maran në grup? – Kanë ndryshuar taktika dhe pozicionimi në fushë. Nuk është e thjeshtë që brenda dy ose tre ditësh të bësh ndryshime në këto aspekte, por kanë ndryshuar gjërat më të rëndësishme që duhet të bëjmë në fushë.

A ka një strategji specifike që trajneri po përpiqet të injektojë për të sjellë një frymë ndryshe në Kombëtare për ndeshjen me Izraelin? – Këto ditë kemi pasur pak kohë në dispozicion, por idetë janë të qarta. Për aspektin taktik besoj se do të flasë trajneri. Ne jemi të gjithë gati të zhvillojmë ndeshje të mira, sepse më pas do të vijnë sfida edhe më të rëndësishme. Izraeli ka pasur rritje në vitet e fundit, është një skuadër teknikisht shumë e mirë, sidomos në sulm, dhe do të tregojmë kujdes maksimal në këtë ndeshje.

Si lider, e sheh energjinë brenda grupit për ta zhvilluar këtë dyvjeçar me trajnerin Maran në nivele më të larta se më parë? – Nuk është e thjeshtë, pasi ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë djemtë. Me një trajner dhe frymë të re, të gjithë duan të tregojnë veten për të fituar një vend në Kombëtare, sepse nuk është e lehtë të jesh pjesë e saj. Energjia është shumë pozitive, ashtu siç ka qenë edhe në vitet e kaluara. Ne do të synojmë të arrijmë sa më lart dhe shpresojmë të kualifikohemi në turne të mëdhenj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img