Warren Zaire-Emery, ylli i ri i PSG-së dhe Francës, është befasuar kur i është ndaluar hyrja në zonën e barit të hotelit në Boston, ku qëndrojnë “Blues” për Kupën e Botës. Arsyeja? Është më i vogël se 21 vjeç (i mbush më 8 mars).
Lojtari u bllokua te hyrja e barit, sepse rregullat në Massachusetts, ku ka selinë Franca, nuk i lejojnë ata që nuk kanë mbushur 21 vjeç të frekuentojnë vende, ku shiten pije alkoolike. Hyrja në këto bare ndalohet edhe nëse personat nën 21 vjeç janë të shoqëruar.
Në shtetin amerikan, kush blen alkool për një që nuk ka mbushur 21 vjeç, rrezikon të dënohet deri në 1 vit burg dhe 2000 dollarë gjobë. Franca kërkoi një zgjidhje për të mos e lënë vetëm Zaire-Emery (shokët mund të hynin), duke argumentuar se bari është ngjitur me restorantin.
Të njëjtin problem kanë edhe futbollistët e tjerë nën 21 vjeç të kombëtareve të ndryshme, që marrin pjesë në këtë turne. Massachusetts nuk është një rast i izoluar në SHBA: në Texas gjoba shkon në 4000 dollarë. Masa të tilla, edhe pse të aplikuara më butë, ka edhe në California, Neë Jersey dhe Florida.
Në Meksikë dhe Kanada, dy vendet e tjera organizatore të Kupës së Botës, ndalimi është i vlefshëm për personat nën 18 vjeç.


