Francë-Paraguai 1-0(Shënues: Kilian Mbape(p) 70’)
Franca është skuadra e radhës që siguron një vend mes tetë më të mirave të Kupës së Botës pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 Paraguain në një ndeshje të luftuar deri në fund ku diferencën e bëri një penallti e realizuar nga Kilian Mbape.
Të besuarit e Didier Deshamp e nisën takimin me ritëm të lartë duke marrë kontrollin e lojës që në minutat e para.
Francezët mbajtën topin për pjesën më të madhe të kohës dhe ushtruan presion të vazhdueshëm ndaj mbrojtjes paraguajane por hasën vështirësi për të depërtuar përballë një kundërshtari shumë të disiplinuar në repartin defensiv.
Nga ana tjetër Paraguai u përpoq të godiste me kundërsulme të shpejta dhe luftoi me shumë grintë në çdo duel duke mbajtur të paprekur portën për plot 70 minuta.
Megjithatë rezistenca e amerikano-jugorëve u thye kur arbitri akordoi një 11-metërsh në favor të Francës pas një ndërhyrje të parregullt në zonë.
Përgjegjësinë e mori Kilian Mbape i cili nga pika e bardhë nuk gaboi dhe mposhti portierin kundërshtar duke realizuar golin që rezultoi vendimtar për fatin e takimit dhe duke i dhënë Francës kualifikimin e shumëpritur në çerekfinale.
Pas avantazhit Franca administroi me maturi minutat e mbetura ndërsa Paraguai tentoi të reagojë në kërkim të golit të barazimit.
Megjithatë mbrojtja franceze u tregua e kujdesshme dhe nuk lejoi surpriza deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Me këtë fitore Franca vazhdon rrugëtimin drejt trofeut dhe tashmë i pret një përballje e zjarrtë në çerekfinale ndaj Marokut.
Afrikanët vijnë në këtë duel me moral të lartë pas fitores bindëse 3-0 ndaj Kanadasë duke premtuar një ndeshje spektakolare mes dy skuadrave që kanë treguar formë të shkëlqyer në këtë Botëror.
Çerekfinalja Francë-Marok pritet të jetë një nga sfidat më të forta të turneut ku të dyja kombëtaret do të synojnë një vend në gjysmëfinale dhe një hap më pranë ëndrrës për tu shpallur kampione bote.
Fatos LAMAJ


