Egnatia dhe Celje dhurojnë spektakël në Rrogozhinë. Barazimi 3-3 lë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit! (Raundi i dytë UEFA Champions League)

Lexo

- Reklamë -spot_img

Egnatia-Celje 3-3(shënues:Bitri 7’, Fernando 58’, Diabate 78’/Kvesic 45’, 66’, Kucis 54’)

EGNATIA: Dajsinani; Sota, Bitri, Xhemajli, Haime, Loukili, Kryeziu, Fernando, Jago, Albanese, Bakajoko

Trajner: Nevil Dede

ÇELJE: Leban; Koutris, Hrka, Vukliseviç, Diounkou, Kvesiç, Daniel, Seslar, Dukuly, Kucys, Avdyli

Trajner: Vitor Kampelos

Egnatia dhe Celje dhuruan një përballje të jashtëzakonshme në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Champions League duke barazuar  3-3 në një takim me ritëm të lartë raste të shumta dhe emocione deri në minutat e fundit.

Takimi i luajtur mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin “Egnatia Arena”, i mbushur plot nga tifozët e skuadrës shqiptare, nisi në mënyrën më të mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 7-të falë një autogoli të shkaktuar nga presioni i Eneo Bitrit. Mbrojtësi goditi me kokë, ndërsa topi u devijua nga një lojtar i Celjes dhe përfundoi në rrjetë.

Megjithatë Celje reagoi gradualisht dhe arriti të rikthente baraspeshën në minutën e 45-të me Kvesiç duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin 1-1.

Pjesa e dytë ishte edhe më spektakolare dhe fillimisht ishte Kuçis ai që në minutën e 54-të i dha epërsinë skuadrës sllovene por vetëm katër minuta më vonë Fernando riktheu sërish baraspeshën me një gol të rëndësishëm për kampionët shqiptarë.

Kur ndeshja po hynte në fazën vendimtare Kvesiç realizoi golin e tij të dytë personal në minutën e 66-të duke kaluar edhe një herë Celjen në avantazh.

Megjithatë Egnatia nuk hoqi dorë dhe vazhdoi të kërkonte me ngulm golin e barazimit. Përpjekjet e rrogozhinasve u shpërblyen në minutën e 78-të kur Diabate realizoi për 3-3 duke vulosur një rezultat që pasqyron më së miri atë që u pa në fushën e lojës.

Barazimi lë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit sepse asnjëra skuadër nuk arriti të siguronte epërsi para sfidës së kthimit e cila do të zhvillohet në Slloveni dhe pritet të jetë vendimtare për fatin e këtij dueli.

Egnatia tregoi edhe një herë karakter cilësi dhe forcë përballë një kundërshtari me eksperiencë në arenën europiane duke mbajtur gjallë ëndrrën për të vazhduar rrugëtimin në UEFA Champions League.

Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit e cila do të luhet më 29 korrik në Slloveni ku kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë një tjetër paraqitje të madhe për të siguruar një kualifikim historik në raundin e tretë të kompeticionit më prestigjioz për klube në Europë.

Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img