Arritja e marrëveshjes për kalimin e trajnerit Arbër Shytani nga KF Shkodra ku u shpall kampion me ekipin U17 tek ekipi i të rriturve Basania FC të Kategorisë së Dytë, grupi A u bë publik mëngjesin e sotëm. Ndërkohë që në orët e mbrëmjes vjen edhe zyrtarizimi nga ana e klubit bushatas me komunikatën përkatëse shoqëruar edhe me pozimin e presidentit të Basania FC Ermir Shimaj me trajnerin e ri Arbër Shytani.

Njoftimi zyrtar i Basania FC
Basania FC emëron Arber Shytanin në krye të skuadrës
Basania FC ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Arber Shytanit në detyrën e kryetrajnerit të ekipit.
Ky është një hap i rëndësishëm në projektin tonë, i cili synon të ndërtojë një klub të organizuar mbi profesionalizmin, disiplinën dhe zhvillimin afatgjatë të futbollistëve.
Besojmë se për të arritur objektivat tona nevojiten profesionistë në çdo sektor, ndërsa roli i kryetrajnerit është vendimtar për drejtimin e skuadrës dhe formimin e lojtarëve.
Jemi të bindur se Arber Shytani, me përvojën, seriozitetin dhe përkushtimin e tij, do të fitojë besimin jo vetëm të drejtuesve të klubit, por edhe të gjithë komunitetit të futbollit në Shkodër.
Basania FC po ndërton një projekt ndryshe, me vizion të qartë për të ardhmen. Synimi ynë është t’u krijojmë mundësi djemve që duan të ecin përpara me punë, sakrificë dhe përkushtim, duke u ofruar një ambient profesional ku mund të zhvillojnë talentin e tyre.
Basania FC do të jetë dera juaj drejt së ardhmes. Mirë se erdhe, trajner Arber Shytani.
Basania FC


