Shkodra vazhdon të konfirmohet si një nga qytetet më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Përveç talenteve që nxjerr prej vitesh, qyteti pritet të ketë edhe një klub të ri. Bëhet fjalë për “North United”, skuadër që synon të marrë pjesë në Kategorinë e Tretë në sezonin 2026- 2027. Sipas burimeve, janë përmbyllur procedurat administrative për regjistrimin e klubit në FSHF, ndërsa dosja ka marrë edhe miratimin e parë. Kjo do të thotë se projekti është shumë pranë zyrtarizimit dhe së shpejti pritet të nisë aktivitetin në fushë.
Pas këtij investimi qëndron një sipërmarrës nga Katari, i cili ka zgjedhur të investojë në futbollin shkodran me një projekt afatgjatë. Objektivi është ndërtimi i një klubi të qëndrueshëm, me identitet të qartë dhe ambicie për t’u ngjitur gradualisht në kategoritë më të larta të futbollit shqiptar. Edhe pse emrat e drejtuesve nuk janë bërë ende publikë, mësohet se ata janë fi gura të njohura të futbollit shkodran, me kontribut të gjatë si futbollistë dhe drejtues. Identiteti i tyre pritet të zbulohet në prezantimin zyrtar të klubit.
Ndërkohë, është vendosur edhe trajneri i skuadrës. Erjon Mani, i cili sezonin e kaluar drejtoi Basanian, do të jetë njeriu që do të udhëheqë “North United” në sezonin e parë të historisë së klubit. Në ditët në vijim pritet të nisë faza përgatitore, si edhe prezantimi zyrtar i projektit, stafi t teknik dhe futbollistëve. Me lindjen e “North United”, Shkodra shton një tjetër përfaqësuese në futbollin shqiptar, duke dëshmuar edhe një herë se mbetet një nga qytetet me traditën dhe potencialin më të madh futbollistik në vend.
ENDRI ÇINARI


