Gjysmëfinalet: KF Shkodra-KF Guri i Zi(4-2), Velipoja V.-Lions FC(3-2)
Finalja: KF Shkodra-Velipoja V.(0-2)
Tetë ekipet pjesëmarrëse të Kampionatit të Futbollit në rërë-Beach Soccer-Velipojë 2026, aktivitet ky i organizuar në Plazhin e Velipojës, rruga 6 pranë Kompleksit “California” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, kanë mbyllur garën sot pas tre ditë ndeshjesh plot emocion dhe rivalitet.
Paraditja e sotme ka rezervuar tre takime, ku dy të parat ishin ndeshjet gjysmëfinale, të cilat nxorën fituese ekipet e Klubit të Futbollit Shkodra si dhe të Velepoja V, ekipe këto që eleminuan respektivisht KF Guri i Zi 4-2 dhe Lions FC 3-2.
Kësisoj, dy fitueset KF Shkodra dhe Velipoja V. Janë përballur në një finale shumë të dyluftuar dhe pse jo nga fundi edhe dramatike.
Nën drejtimin e dyshes së arbitrave Agron Kastrati dhe Jetmir Podgorica, të cilët mbajtyën peshën e të gjitha gjykimeve të këtij kampionati, pjesa e parë e kësaj finaleje u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0.
Barazpesha 0 me 0 vazhdon të jetë në fuqi deri në pesë minutëshin e fundit. Atëherë kur u mendua se ekipi fitues do të përcaktohej përmes gjuatjeve të penalltive, vijnë dy golat e skuadrës velipojake të drejtuar nga trajneri Besnik Ndoj.
Fillimisht është i zakonshmi Vildan Kaçubela që shënon golin e avantazhit dhe në sekondat e fundit kur KF Shkodra e drejtuar nga Rudi Piraniqi është pranë barazimit, në skenë del një gjuajtje spektakël nga porta në portë e portjerit të Velipojës Eli Dervishaj që vulos rezultatin 2 me 0 në favor të Velipoja V që shpallet kampione për herë të dytë radhazi të Kampionatit të Futbollit në rërë-Beach Soccer-Velipojë 2026.
Në ceremoninë e mbylles së kampionatit, specialisti i sportit në Bashkinë Shkodër, Alban Hasani, fillimisht i dorëzoi ekipit KF Shkodra medaljet dhe kupën e nënkampionit, ndërkohë që më pas nderoi ne trofeun e ekipit kampion ekipin Velipoja V, që njëherazi shpërblehet me shumën prej 1(Një) mijë Euro, ndërkohë që u dorëzuan edhe me dy kupa personale, golashënuesin më të mirë Vildan Kaçubela si dhe lojtarin më të mirë të kampionantit Emanuel.
Në prononcimin e dhënë për mediat, trajneri i ekipit kampion Besnik Ndoj, u shpreh i kënaqur që trofeu mbeti në shtëpi duke i takuar për të dytën herë radhazi ekipit të Velipojës.
Sukses, të cilin e ndan me të gjithë pjesëtarët e skuadrës, ndërsa ka edhe një dedikim të veçantë për dy djemtë e tij portjerë të Vllaznisë, Alevio dhe Besardo, të cilët pritet të jenë një garanci e së ardhmes së portës kuqeblu.
(Video) Dy ndeshjet gjysmëfinale, finalen, ceremoninë e mbylljes si dhe prononcimin e trajnerit kampion Besnik Ndoj, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtare, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


