Devolli-Besëlidhja 1-3(shënues:Beçka 90’/Akansase 45′,Delaj 65′,70′)
Besëlidhja vazhdon fazën përgatitore në Pogradec, e ndërsa fiton miqësoren e radhës me Devollin 1-3 në një ndeshje që u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.
Skuadra lezhjane e nisi takimin me synimin për të marrë një tjetër rezultat pozitiv ndërsa Devolli kërkoi të shfrytëzonte këtë përballje për të testuar grupin dhe futbollistët në dispozicion.
Ndeshja ishte e luftuar dhe u shërbeu të dyja skuadrave për të fituar minuta dhe për të konsoliduar përgatitjet për kampionatet respektive.
Besëlidhja arriti të zhbllokoj rezultatin në fundin e pjesës së parë me anë të sulmuesit Akansase që realizoi golin e parë të takimit duke i dhënë skuadrës së Besëlidhjes avantazhin 1-0 teksa me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë Besëlidhja u shfaq më efikase përpara portës dhe arriti të thellojë avantazhin.
Protagonisti kryesor ishte Antonio Delaj i ardhur nga stoli i cili realizoi dy gola në vetëm pesë minuta.
Në minutën e 65-të realizoi golin e pare, ndërsa në minutën e 70-të u shfaq sërish rrezikshëm në zonën e Devollit duke realizuar edhe golin e tij të dytë personal dhe duke e çuar rezultatin në 3-0 në favor të skuadrës së tij.
Me avantazhin e trefishtë Besëlidhja kishte krijuar një pozicion shumë të favorshëm për të administruar minutat e fundit.
Megjithatë Devolli vijoi të kërkonte golin dhe arriti të gjejë rrjetën në fundin e takimit dhe pikërisht në minutën e 90-të Beçka shënoi golin e nderit dhe vendosi rezultatin përfundimtar 1-3, gjithnjë në favor të lezhjanëve.
Për Besëlidhjen kjo miqësore ishte një tjetër test i rëndësishëm në funksion të ndërtimit dhe konsolidimit të skuadrës.
Stafi teknik vijon të punoj për të harmonizuar grupin për të vlerësuar afrimet e reja dhe për të përcaktuar alternativat më të mira për sezonin e ri.
Nga ana tjetër Devolli pavarësisht humbjes përfitoi minuta të rëndësishme dhe një tjetër mundësi për të provuar lojtarët në dispozicion.
Në veçanti goli i Beçkës në minutën e 90-të është një sinjal pozitiv për futbollistin e afruar së fundmi i cili e nis aventurën e tij me skuadrën me një gol.
Fatos LAMAJ


