”Analizë Superiore” rikthehet në FSHF TV me sezonin e dytë, dedikuar ”Abissnet Superiore”. Në orën 18:00, nën drejtimin e Jurgen Zelës dhe videoanalistit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Xhoen Tugut, u analizuan në mënyrë të detajuar dhe me interpretim profesional të gjitha sfidat e javës së parë të elitës së futbollit shqiptar.
Nëpërmjet këtij formati, FSHF TV synon t’i sjellë publikut një këndvështrim më të thellë dhe të detajuar të asaj çka ndodh në ”Abissnet Superiore”. Situatat më të veçanta të ndeshjeve, analiza taktike dhe elementet statistikore u vunë në fokus, duke i afruar edhe më shumë tifozët me dinamikën e kampionatit dhe zhvillimet në elitën e futbollit shqiptar.
Suksesi i Egnatias ndaj Tiranës, triumfi i Vorës ndaj Dinamo City-t, si dhe tre barazimet e javës së parë (Laçi 1-1 Elbasani, Partizani 0-0 Teuta dhe Vllaznia 2-2 Skënderbeu) kaluan në fokusin e ”Analizë Superiore”, së bashku me skemat e aplikuara dhe vendosjet e skuadrave.
Emisioni “Analizë Superiore” do të transmetohet çdo të mërkurë në FSHF TV, duke sjellë çdo javë analizë profesionale, statistika dhe interpretim taktik të ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore”.


