Ka shumë ditë që është bërë pjesë e përgatitjeve të ekipit të parë, madje duke u aktivizuar me sukses edhe në ndeshje miqësore nën vëzhgimin e stafit teknik për mundësinë e firmosjes së kontratës me KF Vllaznia.
Bëhet fjalë për futbollistin 19-vjeçar Sabion Bizi, djalin e ish futbollistit të Vllaznisë dhe sot trajner i Vllaznisë B, Brikeno Bizi, si dhe nipin e legjendës së futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Sabah Bizi.

Ndërkohë, mbrëmjen e sotme, pasi është konsumuar edhe seanca stërvitore e pasdites, e parafundit para sfidës me Elbasanin, drejtuesit e klubit në bashkëpunim me stafin teknik, kanë zyrtarizuar veshjen e talentit kuqeblu.
Njoftimi zyrtar i KF Vllaznia
“Sabion Bizi, talenti 19-vjeçar, firmos kontratën e tij të parë profesionale me ekipin e zemrës!
Nga ëndrra kuqeblu, te kontrata profesionale. Një tjetër talent i ri që rritet me fanellën e Vllaznisë dhe bëhet pjesë e së ardhmes sonë. Urime Sabion! Tash fillon sfida e vërtetë. Forca Vllaznia! “


