Ndonëse me dy vite histori nga formimi si skuadër, sezonin e kaluar futbollistik, Klubi i Futbollit Shiroka që konkuron në grupin A të Kategorisë së Dytë, ishte shumë pranë kualifikimit për në Kategorinë e Parë.
Një penallti e humbur pas kohës nuk e lejoi të shkonte drejt së parës, duke lënë në fuqi objektivin për sezonin e ri futbollistik 2026-2027 për t’ia nisur edhe një herë nga e para.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, kapiteni Oltion Drabeja, shprehet optimist se me përgatitjet serioze që që po bëhen në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” nën drejtimin e dyshes së trajnerëve, spanjollit Paulo Rios Freire dhe kolegut të tij Ardit Mani, skuadra po merr formën e duhur.
Në aspektin personal edhe pse mosha e tij është tek të 34-tat, Drabeja thotë se ndiehet mjaft mirë, si në aspektin fizik dhe më tej në bashkëpunimin me grupin.
Duke vijuar të flasë më tej për skuadrën, kapiteni Drabeja, thotë se një rol të rëndësishëm në ecurinë e KF Shirokës vazhdon të luajë edhe presidenti Ergi Axhani, i cili vjen nga një familje sportive, me prindërit e tij sportistë dhe trajnerë të futbollit, Hava dhe Fatmir Axhani, të cilët që të tre së bashku, janë të pranishëm në çdo seancë stërvitore të skuadrës.
Sipas Drabesë, ndonëse luajnë në kategorinë e dytë, kushtet e krijuara nga presidenca, janë të barabarta me të parën, pse jo edhe me Superioren.
Referuar kalendarit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për kategorinë e dytë, i cili nis me 12 shtator, në javën e parë KF Shiroka do të luajë në transfertë përballë Erzenit të Shijakut, ndërkohë që javën e dytë do ta luajë në shtëpi duke pritur në stadiumin “Reshit Rusi” Partizanin B.
(Video) Prononcimin e plotë të Kapitenit të KF Shiroka, Oltjon Drabeja, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


