Dorëheqja e presidentit të KFF Vllaznia, Lazër Matija nga drejtimi i skuadrës 13 herë kampione të Shqipërisë dhe me arritje Europiane si askush nga futbolli shqiptar, femra dhe meshkuj, ka lënë një boshllëk dhe pikëpyetje të madhe për vazhdimësinë e kësaj skuadre.
Fillimisht u aludua për një tërheqje edhe të ekipit nga kampionati shqiptar, por një gjë të tillë e sqaroi në prononcimin e tij zoti Matija, i cili bëri të ditur se dorëheqja është vetëm në prizmin personal, sepse skuadra është në kulmin e përgatitjeve për nisjen e kampionatit.
Dhe, ashtu siç premtoi që do të ketë përkujdesjen e duhur që skuadra të gjejë njeriun e duhur që ta mbështesë në rrugëtimin e saj, ndërkohë që i kërkoi edhe qeverisjes vendore dhe FSHF-së që të japin mbështetje në këtë drejtim, në mënyrë që ky emër i madh dhe absolut i futbollit shqiptar të mos ketë probleme në lidhje me vazhdimësinë, mësohet se Lazër Matija ka nisur kontaktet dhe bisedimet konkrete për këtë çështje.
Në këtë prizëm, Veriu Sport mëson se në skenë ka dalë një dashamirës i sportit shkodran, Ergi Axhani, ish futbollist i Vllaznisë, pjesë e një familje sportive, me dy prindërit e tij, Hava dhe Fatmir Axhani që kanë kontribuar edhe në futbollin e femrave.
I njohur për pasionin për sportin, dhe tashmë edhe i kualifikuar profesionalisht në strukturat përkatëse të FSHF-së, Ergi Axhani, krijoi ekipin e KF Shiroka, dhe si president së bashku me stafin e tij, brenda dy viteve e ngriti Shirokën nga Kategoria e Tretë, në të Dytën, dhe kandidate serioze për ngjitjen në të parën. Dhe, këtë përvojë të tijen, Axhani kërkon ta vërë në shfrytëzim edhe të ekipit të Vllaznisë në futboll femra.
Nga sa bëhet e ditur, në mes palëve, janë realizuar disa takime, duke qënë në frymën e diskutimit për vazhdimësinë dhe mundësinë e përfundimit të marrëveshjes në mënyrë që ekipi të vazhdojë rrugën e tij përpara dhe të jete pretendent për titullin kampion, të 14-tin në historinë e kësaj skuadre. Takime dhe biseda që duken se janë në rrugën e duhur dhe që shumë shprejt priutet zyrtarizimi i kësaj marrëveshje.
Gaspër MARKU


