Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar materiale shkollore për fëmijët e Fshatit SOS, duke vijuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për këtë komunitet dhe për nismat që synojnë të kontribuojnë në mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Kjo nismë vjen në vazhdën e angazhimit të vazhdueshëm të FSHF-së për të qenë pranë Fshatit SOS, duke e shtrirë kontributin përtej fushës së sportit dhe duke mbështetur edhe iniciativa që lidhen drejtpërdrejt me edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Në aktivitet ishte e pranishme anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila u shpreh se ky kontribut, edhe pse modest në pamje të parë, përcjell një mesazh të rëndësishëm për fëmijët dhe brezat që do të vijnë.
“Ky kontribut i Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe pse duket në pamje të parë modest, ka të bëjë me mesazhin për fëmijët dhe brezat që do të vijnë.
Ju do të nisni një rrugë shumë të rëndësishme, që është rruga e dijes, dhe ne gjithmonë përpiqemi që këtë rrugë të dijes ta shoqërojmë edhe me sportin, për çdo lloj sporti ku na mësohen kurajoja, disiplina, ndershmëria, të qenët bashkë, puna në grup, në ekip, pavarësisht të gjitha vlerave individuale që ka secili prej fëmijëve”, u shpreh Anila Basha.
Anëtarja e KE-së së FSHF-së uroi gjithashtu fëmijët për sukses në rrugëtimin e tyre, ndërsa vlerësoi edhe rolin e prindërve.
“Unë ju uroj shumë sukses fëmijëve, mbarësi prindërve që kanë një detyrë të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme dhe besoj se i kemi ndihmuar dhe ne sadopak”, tha Basha.
Për këtë nismë të Federatës Shqiptare të Futbollit foli edhe Rineta Sheme, menaxhere projektesh në SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri, e cila e cilësoi dhurimin e pakove shkollore si një gjest shumë të bukur në ndihmë të edukimit të fëmijëve.
“Sot jemi për një gjë tjetër shumë të bukur, në fillim të vitit të ri shkollor, ku Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar për fëmijët e Fshatit SOS pako shkollore dhe, sigurisht që ky është një gjest shumë i bukur në ndihmë të edukimit të tyre”, u shpreh Rineta Sheme.
Sheme pati një falënderim të veçantë për Federatën Shqiptare të Futbollit, presidentin Armand Duka, Anila Bashën dhe të gjithë stafin e FSHF-së për mbështetjen dhe vullnetin e mirë.
“Kam një falënderim shumë të veçantë për Federatën e Futbollit, zotin Armand Duka, për zonjën Anila Basha që është këtu sot dhe të gjithë stafin e Federatës për të gjithë këtë vullnet të mirë dhe dëshirë për të na suportuar.
Shpresojmë që të jetë në vazhdim të gjithë kësaj historie të bukur bashkëpunimi. Faleminderit që jeni me ne këtu sot”, deklaroi Sheme.
Përmes kësaj nisme, FSHF vijon të jetë pjesë e aktiviteteve dhe nismave në mbështetje të Fshatit SOS, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në iniciativa që vendosin në qendër fëmijët dhe nevojat e tyre.
Këtë herë, mbështetja është fokusuar te fillimi i vitit të ri shkollor, me materiale që do t’u shërbejnë fëmijëve në rrugëtimin e tyre të dijes dhe edukimit.


