Kampionati i Abissnet Superiore ka luajtur tri javët e para, por duket se ka vend edhe për ndonjë lëvizje të fundit sa i takon merkatos. Dinamo ka arritur akordin me mbrojtësin afrikan, Saliou Sembene, i cili pritet të bashkohet sot me blutë.
Futbollisti 24-vjeçar ishte pa ekip që pas largimit nga Partizani, ku ka luajtur për disa sezone. Ai rigjen te Dinamo trajnerin Ilir Daja, i cili i ka besuar formacionin në kohën kur drejtonte të kuqtë. Një sinjal për vazhdimin e karrierës te Dinamo e kishte dhënë vetë Sembene, teksa kishte postuar një foto me fanellën e bluve nga Senegali.
Dinamo nuk kishte në organikë një qendërmbrojtës të mirëfilltë, pasi as Dita, as Aliji dhe as Hoxhallari, që aktivizohen në këtë pozicion, nuk janë qendërmbrojtës natyralë. Vetëm një ditë më parë blutë zyrtarizuan një tjetër mbrojtës afrikan, 20-vjeçarin Jonathan Ochiche, por ai është një lëvizje për perspektivën.
Me afrimin e Sembene, që e njeh mjaft mirë futbollin shqiptar, blutë kompletojnë edhe repartin difensiv. Tani mbetet të shihet vetëm gjendja fizike e 24-vjeçarit dhe kur ai do të jetë gati për të marrë minuta nga trajneri Ilir Daja.


